Fshati i Paqes, nga projekt lufte në simbol paqeje
Një ditë në fshatin unikal pranë liqenit të Shkodrës. Si u krijua strehimi për refugjatët
kosovarë, për t’u shndërruar në shembull bashkëjetese. Sapo kalon Urën e Bunës
dhe merr tatëpjetën, nis të ndihet qetësia e natyrës dhe ajri i pastër që të zgjeron
mushkëritë. Jemi në Shirokë të Shkodrës, pranë Fshatit të Paqes, aty ku sipas emrit
të krijohet edhe ndjesia shpirtërore. Kur na ndajnë edhe pak metra nga dera e
Fshatit, një zonjë diku tek të 40-at del përpara nesh, me shumë urata. Quhet Flora
dhe është inspektore pyjesh në Tarabosh. “Mirë se keni ardh, shumë mirë keni ba… Ky
vend është një mrekulli më vete, një vend i qetë si ato nëpër përralla. E, përveç
kësaj, ka shërby gjithmonë për mirë, ka kontribu në shkollimin e fëmijëve romë, ka
strehu familje që kanë kenë në gjak e shumë e shumë vepra humane të tjera”, thotë
Flora përgjysmë në dialekt e përgjysmë në gjuhë letrare, duke na ftuar ta vizitojmë
nga afër vendin. Në hyrje të Fshatit të Paqes na pret roja. Quhet Binak Ferra dhe
me mikpritjen tipike prej malësori na shoqëron deri te menaxheri/mirëmbajtësi i fshatit,
Ded Mirashi. Deda ka plot 13 vite që punon si mirëmbajtës dhe menaxher i fshatit,
që nga krijimi i tij. Ai di çdo lëvizje, çdo pemë që është mbjellë apo rrëzuar. Çdo
derë që ishte kalbur, kush kishte hyrë e kush kishte dalë. Me pak fjalë, ishte tamam
si i “zoti i shtëpisë”, edhe pse drejtor i Fshatit të Paqes është Don Gjovalin Sukaj.
Historia e krijimit Në vitin ‘98, atëherë kur forcat jugosllave pushtuan Kosovën,
Argjipeshkvia e Shkodrës, e drejtuar nga monsinjor Agjelo Masafro (arbëresh i Italisë),
së bashku me Shoqatën e Caritas-it me drejtor të saj Pader Malio Baliu, menduam të
gjejnë një mënyrë për t’i ndihmuar refugjatët kosovarë. Duke mos pasur mundësinë për
t’iu bashkuar luftës, sigurisht për shkak të statusit dhe misionit që ata kishin,
menduan t’i vinin në ndihmë në një aspekt tjetër. Hodhën idenë dhe vendosën të krijonin,
të ndërtonin një fshat posaçërisht për strehimin e familjeve kosovare. Në mënyrë krejt
të natyrshme, ai u emërtua Fshati i Paqes. Kështu vazhduan fill me gjetjen e vendit
të përshtatshëm për ndërtimin e tij. Kërkuan në disa zona dhe një ditë morën rrugën
drejt e në Shirokë. Aty pikasën një fshat të vogël, të rrethuar nga kaltërsia e liqenit
të Shkodrës dhe lumit Bunë. Siç duket, bukuria e natyrës, liqeni, lumi, gjelbërimi
në malin e Taraboshit, ajri i pastër e qetësia, pikërisht këto detaje vendosën që
të ishte vendi i përshtatshëm për “Fshatin e Paqes”. Trualli ku u ndërtua ky fshat,
kishte 100 vjet që shërbente si kazermë e policisë, pronë e Policisë së Shtetit. Në
kohën kur monsinjor Masafro pikasi pikërisht këtë tokë për krijimin e Fshatit të Paqes,
iu drejtua shtetit për ta blerë atë. Shteti e pranoi kërkesën e tij, duke pasur parasysh
dhe qëllimin e krijimit të tij, por nuk ua shiti; arritën ta shkëmbenin me një tokë
që e përdorte Argjipeshkvia e Shkodrës, pak metra larg nga kazerma e Policisë. Sapo
morën përgjigjen, nuk pritën asnjë orë më shumë, por vazhduan punën për ndërtimin
e tij. Ishte viti 2001, kur më në fund Fshati i Paqes arriti të përfundohej. Për fatin
e keq, për shkak të financimeve të dobëta, nuk arriti të shërbente për qëllimin të
cilin ishte marrë nisma. Por, nga ana tjetër, fatmirësisht Kosova ishte çliruar. Me
hapjen e tij u mbajt “Konferenca e Paqes”, më 21 shtator 2001, e cila ka zgjatur 5
ditë rresht. Aty qenë të pranishëm të gjithë të rinjtë e Ballkanit, Europës, grupe
të ndryshme që kishin ardhur për inaugurimin e Fshatit të Paqes”, pa harruar edhe
personalitete të Kishës dhe të shtetit shqiptar, si presidenti i atëhershëm Rexhep
Mejdani dhe kryeministri Pandeli Majko. Të pranishmit qëndruan të rehatuar në shtëpizat
e vogla në Fshatin e Paqes, të cilat ishin të krijuara për familjet kosovare. “Secila
prej këtyre shtëpizave ka një dhomë gjumi, parakuzhinë, kuzhinë, banjë dhe dush”,
tregon Ded Mirashi, mirëmbajtës në Fshatin e Paqes. Po të hipësh në majën e Taraboshit,
Fshati i Paqes duket spektakolar. Duke e vëzhguar nga lart ngjan si ato punimet e
skulptorëve, si një dorë që mban 30 shtëpiza të vogla prej druri me një çati tipike,
si ato nëpër filmat amerikanë, disa hapa larg nga njëra-tjetra. Fshati sot Vazhduam
të ecnim nëpër fshat duke parë çdo shtëpizë të vogël, zyrën, restorantin, shkollën,
sallën e konferencave dhe ambiente të tjera. Nën udhëheqjen e Dedës morëm detaje për
secilën shtëpi, historinë e ndërtimit të secilës prej tyre, madje edhe për çdo vizitor
që ka bujtur aty. “Këto shtëpi kanë shërbyer për strehimin, ushqyerjen, rritjen e
fëmijëve jetimë, 8 familje të pastreha, 15 familje që kanë qenë në gjak, pa harruar
të përmend gjithashtu strehimin e përkujdesjen që ka treguar Don Ernesto Benze për
femrat e trafikuara, të cilat i ka marrë nga rrugët e Europës dhe i ka strehuar këtu”,
rrëfen Deda. Që nga viti 2001 deri në 2006-n, fshati ka funksionuar për strehimin
e familjeve të pastreha, atyre të ngujuara, fëmijëve jetimë etj. Disa prej familje
apo të rritur në nevojë Argjipeshkvia e Shkodrës vendosi që t’i transferojë në qytet,
Shkodër, duke u dhënë një shtëpi të paguar për 6 muaj dhe mundësi punësimi e shkollimi.
Fëmijët i kanë ndarë sipas grupmoshës në shtëpi të ndryshme, nën përgjegjësinë e Papa
Xhovanit 23, i cili ka qenë nismëtari për strehimin e shkollimin e tyre. Nga fundi
i 2006-s e deri më sot, fshati ka qenë dhe është në dispozicion të grupeve kishtare
nga Mirdita, Shkodra, Lezha, Tirana e të tjerë, karakteristika që vijnë nga e premtja
deri të dielën për aktivitetet që kanë projektuar për t’i realizuar në Fshatin e Paqes.
Disa nga këto organizime janë: “Konferenca e Paqes”, “Konferenca për pajtimin e gjaqeve”
në 2004-n, një ngjarje shumë e rëndësishme kjo, ku disa prej familjeve të ngujuara
arritën të pajtoheshin, dhe shumë aktivitete të ndryshme që kanë ndikuar në shkollimin
dhe formimin e të rinjve, duke i ndihmuar edhe financiarisht. Që me krijimin e Fshatit
të Paqes është hapur edhe shkolla që u ndërtua posaçërisht për integrimin e fëmijëve
romë. Shkolla mban emrin e një shenjti që ka qenë ndihmëtar i këtij komuniteti. Quhet
“I lumi Seferin” dhe varet nga shkolla “Ajsëm” në qytet. Shkolla në Fshatin e Paqes
është e sponsorizuar nga “Vëllezërit Kapuçin”, shoqatë shqiptare, filial i simotrës
në Gjermani. “Në fillim nuk kishte më shumë se 7-8 nxënës, por patër Bonoventura shkonte
në çdo shtëpi të fëmijëve romë, takonte prindërit e tyre dhe mundohej që t’ua mbushte
mendjen që t’i hiqnin fëmijët nga lypja në rrugë dhe t’i sillnin në shkollë. E ka
pasur të vështirë, por ama arriti të mblidhte 70 nxënës. Kështu nisi rregullisht çdo
ditë mësimi, nga klasa e parë deri në të pestën, pa harruar edhe kopshtin që është
pjesë e shkollës. Shumë prej nxënësve të kësaj shkolle kanë dalë me rezultate të larta
dhe kanë arritur të shkojnë në gjimnazet më të mira në Shkodër, si “28 Nëntori” apo
te shkolla e muzikës “Kol Jakova”, tregon Deda. Fshati si vëllazërim universal Fshati
i Paqes është një realitet që lindi nga dëshira për t’i ofruar shoqërisë shqiptare
dëshminë e bashkimit, të vëllazërimit universal, të shërbimit ndaj të varfërve e shtresave
më të harruara, me qëllim integrimin e tyre me pjesën tjetër të shoqërisë. Ky fshat
(i cili lindi gjatë emergjencës së refugjatëve të vitit 1999) sot ka pamjen e një
qendre polivalente me qëllime social-kulturore. Struktura ndodhet në brinjë të malit
Tarabosh dhe pranë grykëderdhjes së liqenit të Shkodrës. Peizazhin e hijeshon kështjella
dhe lumi Buna, i cili bashkohet me lumin Drin në një kornizë fushash dhe malesh, duke
dhuruar një pamje tejet piktoreske. Karakteristika . Shtëpitë e fshatit janë:
të vogla, por që kanë një domethënie të madhe, sepse brenda tyre lind paqja dhe harmonia
mes të rinjve të etnive e besimeve fetare. . Mes veprave të individualizuara, shquhen
ato që u drejtohen romëve, të cilët banojnë në rrëzë të kësaj strukture. Shumë kohë
më përpara, etërit Kapuçinë janë angazhuar për edukimin e romëve me një shkollë të
vogël ripërvetësimi për mësim, lexim, shkrim, dhe projekti është zgjeruar në një program
social-kulturor, që vazhdon të zhvillohet në Fshatin e Paqes. . Vepra e dytë është
një strukturë e pritjes së parë, drejtuar vajzave, minorenëve në vështirësi dhe personave
handikap. Për këto dy realitete janë aktivizuar “shtëpi-familje” dhe laboratorë pune.
. Për fëmijët, Caritas-i i Shkodrës ka vënë në dispozicion një shtëpi pranë Fshatit
të Paqes, për të asistuar minorët me probleme të ndryshme sociale. Në këtë projekt
bashkëpunojnë vullnetarë shqiptarë dhe të huaj. . Disa nga shtëpitë parafabrikat
janë në dispozicion për pritjen e grupeve që dëshirojnë të zhvillojnë momente formimi
dhe ushtrime shpirtërore, si dhe për vullnetarë të ardhur nga jashtë që dëshirojnë
të kenë eksperienca si në shtëpinë e paqes, ashtu edhe në veprimtaritë që zhvillohen.