2013-08-26 17:11:41

Solidaritet i ipeshkvijve zviceranë për të krishterët në Egjipt


Konferenca ipeshkvnore zvicerane (Ces) u shprehu solidaritetin të krishterëve e Egjiptit e të Lindjes së Mesme. Në një notë, nënshkruar nga imzot Markus Byshel, kryetar i Ces, përshkruhet, me indindjatë e trishtim, situata dramatike, në të cilën po jeton sot Egjipti, së bashku me vendet e tjera të Lindjes së Mesme, si Siria. Duke pohuar se bashkësitë e krishtera në Egjipt janë posaçërisht të ligështa, imzot Byhel i ftoi të gjithë katolikët e Zvicrës të luten për viktimat e dhunës, posaçërisht, dje, gjatë meshëve të së dielës. Gjithnjë dje, në Abacinë e Einsielden, u kremtua një Mbrëmësore lutjeje, me frymë të thellë solidariteti. Në kremtim ishin të pranishëm edhe disa koptë, me seli në Zvicër. Bashkuan, kështu, zërat, në lutje për viktimat e çmendurisë njerëzore. Nota e ipeshkvijve pohon edhe se ipeshkvijtë helvetikë e shikojnë me seriozitet të madh e plot shqetësim situatën në Kairo dhe i ftojnë famullitë e bashkësitë fetare në vend t’ia besojnë Zotit të gjithë njerëzit, viktima të dhunës e të padrejtësisë, duke u lutur që të hapen zemrat, për t’i bërë udhë paqes së Zotit, që është vetë paqja. Dhuna e terrori, që vijojnë në këto troje, vijon nota e Ces, vë në shënjestër të gjithë popullsisnë, njerëz të çdo moshe, të çdo feje e të çdo përkatësie politike, pa harruar këtu, plaçkitjen e më se 80 kishave, manastireve, kuvendeve, shkollave të krishtera, spitaleve dhe institucioneve të tjera. Njëkohësisht imzot Byhel thekson se mbetet thellësisht i prekur, në kuptimin më të mirë të fjalës, nga qëndrimi i disa myslimanëve, të cilët po impenjohen krah për krah me të krishterët në mbrojtjen e kishave e të besimtarëve të krishterë. Së fundi Konferenca ipeshkvnore helvetike kërkon nga qeveria vendase të shfrytëzojë të gjitha rrugët diplomatike në favor të përfundmit pozitiv të krizës egjiptiane e të respektit për lirinë fetare. Nota përfundon me njoftimin se Karitasi zviceran do të nisë ndihma të reja konkrete në favor të viktimave të dhunës egjiptiane.







All the contents on this site are copyrighted ©.