2013-08-26 17:12:37

Me të Lumen Nënë Terezë, në kremtimin e ditëlindjes së 103-të


Kur ndokush kremton ditëlindje, që i kujton se i ka kaluar të njëqindtat, çuditet e mediton, në mënyra nga më të ndryshmet, për rrugën e jetës, gjithnjë e shkurtër për njeriun. Po ka nga ata, që vijojnë të ecin mes nesh e të na ftojnë të kremtojmë ditëlindje qindravjeçare. Ndërmjet tyre, Nënë Tereza (Shkup, 26 gusht 1910- Kalkutë, 5 shtator 1997), që sot ka ditëlindjen e 103-të
Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin. Por duhet theksuar edhe një virtyt tjetër heroik i kësaj gruaje të madhe, i cili u bë i njohur vetëm pas vdekjes së saj. E fshehur nga sytë e të gjithëve, e fshehur deri nga ata që i qëndruan më pranë, jeta e saj e brendshme u vu në provë: pati përshtypjen e dhimbshme e të vazhdueshme se ishte ndarë nga Zoti, madje se ai e kishte braktisur, ndërsa në shpirt i rritej gjithnjë e më tepër dëshira për ta pasur pranë. Atë që po provonte e quajti "errësirë". "Nata e dhimbshme" e shpirtit të saj, që nisi në kohën kur sapo kishte filluar apostullimin mes të varfërve e vijoi gjatë gjithë jetës, e çoi në një bashkim edhe më të thellë me Zotin. Përmes errësirës, mori pjesë mistikisht në etjen e Krishtit, në dëshirën e tij të dhimbshme e të zjarrtë për dashuri, duke u njësuar me mjerimin e të varfërve.
Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe Kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Në vitin 1997 motrat e Nënë Terezës ishin 4000, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Në mars të vitit 1997 bekoi Eproren e re të Përgjithshme, të sapo zgjedhur, të Misionareve të Bamirësisë e bëri edhe një udhëtim jashtë shteti. Si pati takuar Papën Gjon Pali II për të mbramen herë, u rikthye në Kalkutë ku kaloi javët e fundit të jetës duke pritur vizitorë e duke u dhënë këshilla simotrave. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit. Qeveria indiane e nderoi me funeralin e Shtetit, në përfundim të të cilit trupi i saj u varros në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë. Shumë shpejt varri i saj u bë cak shtegtimi e lutjeje për njerëz të besojmave të ndryshme, për të varfër e për të pasur, pa kurrfarë dallimi. Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtzakonshme. Duke iu përgjigjur thirrjes së Jezusit "Eja, të jesh drita ime!", u bë Misionare e bamirësisë, "Nënë e të varfërve", simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit.
Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e kanonizimit. Më 20 dhjetor 2002 miratoi dekretin mbi virtytet heroike dhe mrekullitë e bëra me ndërmjetësinë e saj.
E Nënë Tereza, që sot e shikojmë me emocion të thellë në elter, të nderuar nga e gjithë bota, na porosit: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni!”
E të mendosh se kjo Grua, më e madhja e shekullit të vet, e pati shkruar biografinë e saj me këto pak fjalë:"Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".







All the contents on this site are copyrighted ©.