2013-08-26 15:45:05

Lindja e Mesme. Atë Picabala: të krishterët e myslimanët nuk duhet ta humbasin shpresën për paqe


Popujt e Lindjes së Mesme nuk duhet të lejojnë askënd t’ua rrëmbejë shpresën e paqes. Ripohon me forcë fjalët e Papës Françesku, Rojtari i Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista Picabala, që nënvizon gëzimin me të cilin u pritën thirrjet e Papës për paqe, e jo vetëm nga të krishterët, por edhe nga myslimanët, në të gjitha vendet e gjunjëzuara nga lufta. Në mikrofonin e Radios sonë, tregon si jetohet, e shpesh, si mbijetohet, në një kohë ngarkuar me kaq shumë vuajtje:

Përgjigje: - Ajo që ndjejmë - ne jemi në kontakt gati të përditshëm nga pak në të gjithë territorin – është frika, frikë e madhe, trishtim i thellë në zemrën e njerëzve, e edhe zemërim për gjithçka po ndodh: është luftë, që e paguajnë me kokë njerëzit e thjeshtë, si gjithnjë….

Pyetje: - Kujtojmë gratë, fëmijët, statistikat tronditëse, që flasin për numrin e refugjatëve, të të vdekurve….

Përgjigje: - Njerëzit nuk e duan këtë luftë, njerëzit duan thjesht të rrojnë në qetësi, në trojet e veta, duan të jenë të lirë. Ndërsa shikojnë sesi lojërat e luftës për pushtet krijojnë situata nga më të rëndat. Janë të shumtë, të vdekurit, e edhe më të shumtë refugjatët në Liban e Jordani, por sidomos, refugjatët brenda Sirisë, më se dy milion, që jetojnë në kushte të tmerrshme, duke krijuar një situatë shpërthyese në këndvështrimin shoqëror.

Pyetje: - Në këto rrethana të vështira, duke pasur mirë parasysh se në çdo vend vërhet një realitet i veçantë, ka edhe nga ata, që i fryjnë zjarrit të “ndeshjes ndërmjet feve”, duke u përpjekur t’i manipulojnë. Ndërsa ngjarjet tregojnë se si të krishterët, ashtu edhe myslimanët, janë kundër konfliktit, e edhe kundër çdo manipulimi….

Përgjigje: - Shumë shpesh, kur flitet për Lindjen e Mesme, feja keqpërdoret, për të fshehur të vërtetën. Në të vërtetë kemi të bëjmë me luftë për pushtet ndërmjet fraksioneve, ndërmjet vendeve - vendeve të huaja – natyrisht, që duan të kontrollojnë rrugët e transportit ose thjesht, të kenë më shumë pushtet mbi këto troje. Nuk janë as islami e as krishterimi, që i ushqejnë këto luftëra kaq barbare.

Pyetje: - Në këtë atmosferë, nuk mund të mos kujtojmë mesazhin e Papës për fundin e Ramazanit….

Përgjigje: - Mbarë bota myslimane, botë tejet komplekse, e priti në mënyrë shumë pozitive thirrjen e Papës; e edhe figurën e Papës e shikon me simpati, entuziazëm. E ky është ogur i mirë. Duhet punuar në këtë fushë, domethënë, në fushën e takimit me realitetin e territorit, me njerëzit e thjeshtë, duke u përpjekur për të shmangur çdo formë manipulimi.

Pyetje: - Gjithsesi në territoret, që nuk gjejnë kurrë paqe, të krishterë e myslimanë vijojnë të jetojnë bashkë, pavarësisht nga ajo, që ngjet rreth tyre…

Përgjigje: - Po, jeta fiton mbi vdekjen në të gjitha rastet, gjithnjë. Pamë kisha të rrënuara edhe në Egjipt, përveçse në Siri; situata objektivisht të vështira, por kjo nuk duhet të na ndalojë. Kemi shumë shembuj bashkëpunimi, ndihme e bashkëjetese historike, tradicionale ndërmjet dy bashkësive, që duhet të vijojnë të ecin në këtë rrugë e të fitojnë mbi çdo konflikt e manipulim.

Pyetje: - Një mendim për paqen?

Përgjigje: - Ajo që dëshiroj të them u drejtohet sidomos njerëzve, që punojnë në territor, që besojnë akoma e janë të bindur, për eksperiencë, se mund të jetohet bashkë, sepse shikojnë si jetohet bashkë, duke i ftuar të mos e humbasin shpresën në lutjen e përbashkët, të gjejnë forcë për të vijuar, pavarësisht nga të gjitha, për të qenë bashkë e për të dhënë dëshminë e përbashkët të dashurisë së njeriut për njeriun, pavarësisht nga gjithsa u tha më sipër.







All the contents on this site are copyrighted ©.