2013-08-24 14:40:55

Papa emëron imzot Sciacca zëvendës sekretar të Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike


Papa Françesku ka emëruar zëvendës sekretar të Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike ipeshkvin imzot Giuseppe Sciacca, deri më tani sekretar i përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtet Qytetit të Vatikanit.
Në vijim të njihemi me misionin dhe kompetencat që ka Gjykata e Lartë e Senjaturës Apostolike, nga fjalët e Papës së nderit Benediktit XVI, i cili më, 2 shkurt të vitit 2011, priti në audiencë në Vatikan anëtarët e këtij organizmi kishtar, me rastin e mbledhjes plenare. Gjykata është e thirrur për t’i shërbyer ndershmërisht mbarështimit të drejtësisë në Kishë. Kjo pra është detyra kryesore e Gjykatës së Lartë pranë Selisë së Shenjtë, që njihet prej shekujsh me emrin Senjatura Apostolike.
Papa Benedikti XVI më 2 shkurt 2011 kujtoi shkurtimisht funksionet e gjykatës, duke i kushtuar vëmendje të posaçme veprimtarisë së saj në fushën delikate të anulimit të martesave.
“Edhe në një sallë gjykate mund të sheshohen grindjet e të pajtohen kundërshtarët, me fjalë e akte të frymëzuara nga dashuria e krishterë”. Ky është qëllimi i lartë që Senjatura Apostolike e ka në qendër të vëmendjes, në të gjithë veprimtarinë e saj – nënvizoi Papa Ratcinger. E më tej kujtoi sferën e posaçme të kompetencës së kësaj gjykate: funksionin e vigjilencës, me të cilin ndjek mbarështimin e drejtësisë në gjykatat kishtare të një shkalle më të ultë. Ati i Shenjtë kujtoi, në vijim, edhe katër fushat kryesore të kompetencës së kësaj instance të lartë të Selisë së Shenjtë: të njohë nga afër veprimtaritë e gjykatave lokale, dioqezane e ndërdioqezane; të përpunojë të dhënat vjetore, që vijnë prej tyre; të vlerësojë burimet njerëzore e institucionale dhe të ketë funksion të vazhdueshëm drejtues:
Është fjala për një punë të koordinuar e durimtare, me qëllim që t’u sigurohet besimtarëve drejtësia e vërtetë, e shpejtë, e rregullt, gjë që, përsa i përket çështjeve të anulimit të martesave e kam kërkuar në nxitjen apostolike pas sinodale Sacramentum Caritatis: “Atje ku, me të drejtë, lindin dyshime për vlefshmërinë lidhjes së kurorës, duhen bërë gjithçka është e nevojshme për të sqaruar deri në ç’ masë këto dyshime mund të jenë të vërteta ”.
E këtu Benedikti XVI kujtoi Udhëzimin Dignitas conubii, dokument-doracak, i cili u siguron atyre që merren me anulimin e martesës, të gjitha normat e nevojshme, në mënyrë që këto çështje të trajtohen e të zgjidhen me rrugën më të shpejtë e më të sigurtë. Prej këndej – theksoi Papa Benedikti XVI- Senjatura Apostolike duhet të jetë gjithnjë më pranë besimtarëve:
“Inkurajoj, prandaj, edhe reflektimin, me të cilin do të merreni këto ditë, kushtuar jurisprudencës së drejtë, që duhet t’u propozohet gjykatave lokale, lidhur me error iuris, si shkak i anulimit të martesave”.
Më pas Benedikti XVI preku një argument tjetër, të cilin me të drejtë e quajti tejet delikat: gjykimin e grindjeve, që mund të lindin në mjediset kishtare, si ndërmjet individëve të veçantë, ashtu edhe ndërmjet institucioneve. Madje edhe atyre vatikanase, siç është, bie fjala, një konflikt i mundshëm ndërmjet dikastereve, lidhur me kompetencat që ka secili. Gjykata e Lartë - pohoi Papa Ratcinger – duhet të kryejë një detyrë me rëndësi të dorës së parë, atë të përdorimit të mjeteve të drejtësisë, në shërbim të zgjidhjes paqësore të grindjeve e të konflikteve, edhe përmes ngritjes së këshillave ose zyrave, në shërbim të pajtimit:
“Në se është e vërtetë se padrejtësia duhet luftuar kryesisht me armën shpirtërore të lutjes e të dashurisë së krishterë, të faljes e të pendesës, gjithsesi, në disa raste, nuk mund të përjashtohet edhe nevoja e përballimit të saj me mjetet e gjykatave. E gjykatat duhen parë si vende dialogu, që nganjëherë çojnë në harmoni e pajtim”.
E kur nuk është e mundur që grindjet të zgjidhen paqësisht, atëherë procesi gjyqësor duhet zhvilluar në mënyrë të tillë, që të synojë qëllimin më të lartë, rindërtimin e bashkimit Kishtar, pa të cilin nuk mund të flitet për paqe e harmoni:“Rivendosja e mundimshme e drejtësisë ka për qëllim të rikrijojë marrëdhënie të drejta e të rregullta ndërmjet besimtarëve e Autoriteteve të tyre kishtare. Në të vërtetë paqja e shpirtit dhe bashkëpunimi i zellshëm i besimtarëve në misionin e Kishës, burojnë nga krijimi i kushteve të përshtatshme, pa të cilat nuk mund ta japin plotësisht kontributin, në përkim me thirrjen e tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.