2013-08-23 16:56:40

Solidaritet i ipeshkvijve zviceranë për të krishterët në Egjipt


Gjendje e vështirë në Egjipt, me protagonistët e lëvizjes pro-Morsi në shesh edhe të premten, në ditën që e patën quajtur “e premtja e martirëve”. Vërtet, policia përdori gazin lotsjellës e pati ndeshje. Një manastir në afërsi të Al Minia u sulmua dhe murgjërit u rrahën, siç njoftoi zëdhënësi i Patriarkatiti kopto-katolik. E gjithë bota është e shqetësuar për fatin e të krishterëve, pasi gjatë javës së kaluar u dogjën shumë kisha e institucione fetare. Ipeshkvijtë detyrohen të ngujohen në shtëpi, pa mundur të dalin as për të ngushëlluar familjet e viktimave. Por nuk mungon solidariteti i Kishës universale, e cila e ngre zërin në mbrojtje të bijve të vet.
Ndër të tjera, Konferenca Ipeshkëvnore Zvicerane i ftoi katolikët e vendit të luten për viktimat e dhunës egjiptiane. Sot e dje, kishat katolike, kudo në Zvicër, kanë mbledhur fonde për të krishterët e Egjiptit e janë lutur për ta. Kulmi arriti me Mbrëmjen e lutjes në Abacinë e Ajnsildenit, e cila ka filluar sot në orën 20.00, me pjesëmarrjen e koptëve, që banojnë në vend. “Një dhunë e një terror i papranueshëm – nënvizohet në notën e Konferencës Ipeshkëvnore, kur flitet për pasojat – që vënë në shënjestër gjithë popullsinë, njerëz të çdo moshe, të çdo feje e të çdo partie politike”, pa harruar plaçkitjen e rreth “80 kishave, manastireve, kuvendeve, shkollave të krishtera, spitaleve dhe institucioneve të tjera”. Por, në notë, nuk harrohen edhe të gjithë ata myslimanë, që impenjohen, përkrah të krishterëve, për mbrojtjen e kishave dhe të besimtarëve. Konferenca Ipeshkëvnore Helvetike i fton besimtarët e vet të vazhdojnë t’i ndihmojnë të krishterët e Egjiptit përmes Karitasit, edhe jashtë këtyre dy ditëve të lutjes, organizuar prej saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.