2013-08-23 12:17:34

Rubrika “Te gurra e besimit”: “Rikthimi’ i iluminizmit” (Emisioni XX)


Emisioni XX i rubrikës “Te gurra e besimit”, nis me një vështrim mbi botën perëndimore. Në këtë botë, na kujton Benedikti XVI, sot shikojmë një valë energjike iluminizmi të ri, a më mirë ta quajmë, valë laicizmi. Të besosh bëhet gjithnjë më e vështirë, sepse bota në të cilën jetojmë, është e pushtuar plotësisht nga ne vetë e në një botë të tillë, thënë simbolikisht, Zoti nuk duket më drejtpërdrejt. Nuk e shuajmë më etjen me ujin e burimit, por me atë pije, që na jep bota. Njerëzit janë bërë botë më vete e ta gjesh Zotin në këtë botë, nuk është aspak e lehtë. Është fenomen, që e vërejmë kudo e, në mënyrë të veçantë, në Perëndim.
Nga ana tjetër Perëndimi sot përshkohet fuqimisht edhe nga kultura të tjera, në të cilat elementi fetar i zanafillës është shumë i fortë. Tmerrohen, këto kultura, kur shikojnë fenë e akullt të njeriut perëndimor, indiferencën e tij për Zotin. E kjo prani e ndjenjave të ngrohta fetare në kulturat e tjera, ndonëse e mbuluar në mënyra të ndryshme, e prek përsëri botën perëndimore, na prek ne, që tashmë ndodhemi në udhëkryqin e shumë kulturave. Kështu, në thellësi të shpirtit të njeriut në Perëndim, lind përsëri dëshira për sulme drejt lartësive. E shikojmë këtë posaçërisht tek të rinjtë, të cilët kërkojnë gjithnjë diçka më tepër. E kështu, në një farë mënyre, edhe fenomeni fetar rikthehet, ndonëse shpesh si kërkim ende i papërcaktuar. Në këto rrethana, e mjedise, Kisha është përsëri e pranishme, i prin njeriut te gurra e besimit, duke e propozuar përsëri e përsëri fenë, si përgjigje për pyetjet e mëdha mbi fatin, jetën, vdekjen e amshimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.