2013-08-23 18:22:22

Gjendja në Egjipt e në Siri, nën këndvështrimin e Vatikanit


Gjendja e Egjiptit dhe e Sirisë qe në qendër të vëmendjes së Vatikanit, javën që kalon. Papa Françesku, sipas njoftimit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, “vazhdon të ndjekë me shqetësim të madh situatën e rëndë e lajmet që vijnë nga Egjipti dhe i lutet Zotit për ndalimin e dhunës. Ai bën thirrje që palët të zgjedhin udhën e dialogut e të pajtimit”.
Ndërkaq, në mikrofonin tonë, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri deklaroi se “shkatërrimi i kishave të të krishterëve është i papranueshëm, sidomos sepse, veçanërisht katolikët, janë pakicë. Rilindja e vendit duhet realizuar, duke respektuar njeriun, fetë dhe lirinë fetare.
Kurrë nuk mund të përdoret forca, dhuna, terrorizmi, apo pushteti ushtarak për të zgjidhur çështjet bazë të fesë. Duhet të mendojmë se urdhërimi i Tënzot për ta dashur njëri-tjetrin është i vlefshëm për të gjithë, myslimanë e të krishterë”.
Përsa i përket Sirisë, në të cilën shpërtheu shkandulli i përdorimit të armëve kimike, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenvës, imzot Silvano Maria Tomazi bëri thirrje për të mos u shpejtuar në gjykime.
Duhet sqaruar, tha ai, se kujt i intereson kjo tragjedi e kush përfiton nga ky krim kaq çnjerëzor. Janë ekspertët e OKB-së, që po mundohen të nxjerrin në dritë të vërtetën për përdorimin e gazit nervin, që sipas opozitës së regjimit të Bashar Al-Asadit, javën e kaluar shkaktoi mijëra viktima, shumë prej të cilave, fëmijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.