Osservatore Romano: Kard. Maradiaga, gjurmët e dritës së Papës Françeskut
“Gjurmët e dritës” së Papës Françeskut, gjurmët e “mirësisë”, të shpirtit ungjillor”
që Ati i Shenjtë “lë me gjestet e tij e me fjalët e tij”: kështu me pak fjalë mund
të përmblidhet përmbajtja e librit të mons. Michele Giulio Masciarellit “Papa i afërt.
Françesku e aroma e deleve, populli e dhembshuria e barinjve”. Këtë pohon kardinali
Oscar Andrea Rodriguez Maradiaga, kryeipeshkëv i Tegucigalpa-s (Honduras) në paraqitje
të vëllimit, shkrim të cilin gazeta e Vatikanit ‘L’Osservatore Romano’ e boton gati
të plotë. Nata e 13 marsit 2013, shkruan kardinali Maradiaga “do të mbetët në mënyrë
të pashlyeshme e skalitur thellë në zemra të të gjithë atyre që si ne qenë dëshmitarë
të mëshirës së pakufishme të Zotit, që na ka premtuar se ‘nuk do të ju lë vetëm’;
në personin e Jorge Mario Bergoglio-s, sot Papa Françesku, qe ripohuar kjo bindje
e kjo siguri që Kisha e ka përjetuar gjatë njëzetë shekujve të historisë së saj. Atë
natë Kisha tregoi para botës një gjallëri të papritur”. “Të gjithë e perceptuam ekzistencën
e një ajri të freskët, të ri, frymën e Shpirtit Shenjt që nuk e kishte braktisur Kishën
e vet, e që atë natë na bëri ta thithnim në mënyrë të plotë me mushkëri tona, na bëri
të nuhatnim madhështinë e atij, që duke u ndjerë i vogël, mbështetej pa rezerva në
duar të Zotit për ta nisur shërbimin e madh në Kishë për Mbretërinë Hyjnore”, vijon
kardinali duke nënvizuar se si Papa Bergoglio na bënë të gjithëve të ndjehemi më shumë
të lidhur me Kishën: “Po të mendonim mirë – shkruan Maradiaga – duhet të pranojmë
se Papa nuk na thotë asgjë të re, por di të na thotë në një mënyrë të re aq sa na
prek brenda thellë: forca e gjesteve të tij dhe e fjalëve tij na tregojnë se si ajo
që besojmë nuk është diçka thjesht celebrale, feja nuk mbyllet brenda kufijve të konceptimit
të thjeshtë, po e përshkon jetën në tërësi”. “Kush, si unë, e ka njohur mirë Jorge
Mario Bergoglion para se të zgjidhej nga Provania Hyjnore për zhvillimin e shërbimit
të ipeshkvit të Romës, e di se Zoti nuk gabon kurrë e se na ka dhënë Atin e Shenjtë
për të cilin kishim nevojë”. E kardinali Maradiaga në vijim nënvizon: për shumëkënd,
Papa Françesku “ishte një person krejtësisht i panjohur e shumë tentuan të shpjegonin
misterin që e rrethonte këtë Papë, ardhur ‘nga fundi i botës’”. Për të “është shkruar
edhe diçka legjendare” e përshtypja, shton kryeipeshkvi i Tegucigalpas, është se vet
Papa është i pari që mbeti i befasuar, se “nuk e priste një emërim nga mëshira e Zotit
e, megjithë nderin e madh që mori, vazhdon të jetë po ai që gjithmonë ka qenë. Nuk
ka asgjë për t’u deshifruar; duhet vetëm të zbulojmë atë që Papa i ri dëshiron të
jetë, do të thotë transparencë e Hirit të Zotit që vepron në të e që përmes gjesteve
të tij e fjalëve të tij na shfaqet” të gjithëve. Nga këtu libri zbulon gjurmët e dritës
së Papës Françeskut, i cili na dëshmon se si, përfundon Maradiaga, duke ecur “gjurmëve
të Koncilit të II të Vatikanit, që është pik themelore e ndritur dhe e sigurt e gjesteve
dhe fjalëve të Papës Françeskut, mund të gjejmë një Kishë me atë vetëdije se është
hapësirë e ‘vëllazërimit’ njerëzor për të ju përgjigjur nevojave të varfërve më të
varfër e të më të pambrojturve”.