2013-08-21 16:16:03

Veiler: Benedikti XVI dha një kontribut guximtar për lirinë fetare


“Njeriu, politika e drejtësia në fjalimet e mëdha të Benediktit XVI” , ishte tema e një tryeze të rrumbullakët, organizuar dje në Mitingun e Riminit. Ngjarje, kjo, që nënvizoi pasurinë e magjisterit të Papës Ratcinger lidhur me këto tema. Ndërmjet tjerësh, e mori fjalën edhe juristi hebre Jozef Veiler, që u ndalua posaçërisht tek kontributi i Benediktit XVI dhe i Gjon Palit II për mbrojtjen e lirisë fetare.

Përgjigje: - Ka njerëz që pyesin: ç’pritet nga një Papë? Që Papa të flasë për lirinë fetare, ashtu si sindikalisti flet për lirinë e grevës? Jo, nuk është kështu! Gjon Pali II ishte njeri i thellë e guximtar, e ashtu edhe Benedikti XVI. Që të dy, në të vërtetë, duke përkufizuar lirinë fetare, përfshinë në këtë përkufizim, edhe lirinë nga feja, domethënë lirinë për t’i thënë ‘jo’ Zotit. Pse është kaq themelore kjo liri? Përgjigjja është e thjeshtë: Zoti nuk do që njeriu ta ndjekë me detyrim. Njerëzit duhet të kenë përgjegjësi morale, kur zgjedhim, e duhet të zgjedhin në liri të plotë. Duhet të ecin në rrugët e Zotit, por me dëshirë, me vullnet të plotë. Prandaj është kaq themelore liria fetare: sepse ka të bëjë me fatin e njeriut.

Pyetje: - Si paraqitet sot kjo liri themelore në panoramën e feve të botës?

Përgjigje: - Edhe këtu mund të flasim për dy Papë guximtarë, e flas sidomos për Benediktin XVI. Kujtoj Regensburgun; e jo vetëm fjalimin e famshëm, por edhe homelinë. Në të vërtetë, edhe pse bota laike flet për fetë, ka ndryshime të mëdha. E këtu kemi të bëjmë me ndryshimin ndërmjet normativës së krishterë dhe asaj hebreje e myslimane. Në fjalimin e Regensbugut, Benedikti XVI ngulmon: “Ne, të krishterët, pas Koncilit II të Vatikanit, duke hyrë në sheshin publik, kërkojmë t’i imponojmë popullit një normativë të vetme: atë, që i ka rrënjët në arsye e jo në zbulesë”. Është e vërtetë se Zoti, në Dhjetë Urdhërimet, thotë: “Mos vra!”. Por i krishteri thotë se edhe njeriu, që nuk beson, mund ta kuptojë logjikën e arsyes, që gjithashtu thotë. “Mos vra!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.