2013-08-21 15:56:32

Tmerr në Siri: përdorimi i gazit nervin mund të ketë vrarë 1300 vetë, por qeveria përgënjeshtron lajmin


I pasigurtë, numri i viktimave gjatë përdorimit të gazit nervin, që, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e njeriut, është përdorur nga qeveria në lagjet e Gutës, në lindje të Damaskut. Institucioni, simpatizues i opozitës, flet për 1300 vetë, por qeveria e presidentit Bashar al Asad e përgënjeshtron lajmin dhe deklaron se ai është thjesht “përpjekje për të penguar punën e inspektorëve të OKB-së”. Këta të fundit ndodhen në Siri pikërisht për të hetuar mbi përdorimin e armëve kimike në konfliktin, që po përgjak prej kohësh vendin. Lidhja Arabe u kërkoi inspektorëve të shkojnë sa më shpejt në zonën e Gutës, ndërsa opozita ngre zërin për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Ndërkaq, gjendja humanitare bëhet gjithnjë e më e vështirë: mijëra sirianë po kalojnë në Kurdistanin irakian, në një zonë, që nuk ka asnjë mjet për strehimin e mbajtjen e tyre. Mbi këtë gjendje, që e ka alarmuar krejt botën, të dëgjojmë presidentin e degës italiane të UNICEF-it, Xhakomo Guerrera:
Si UNICEF, marrim lajme të shumta e ato që vijnë nga Siria, janë nga të dyja frontet. Ka shumë propagandë. Ne i mobilizuam veprimtarët tanë në vend për të ditur më shumë e për të marrë vesh diçka më të saktë për ngjarjet.
Gjendja e vështirë në Siri shndërrohet në problematike për vendet fqinje, të cilat duhet të presin refugjatët. E tillë po bëhet, për shembull, në Kurdistanin irakian. A ka mjete për ta përballuar fluksin e sirianëve?
Jo… këta njerëz mbërritën në një hark kohor prej pesë ditësh: mëse 300 mijë vetë kaluan lumin Tigri në urën e Peshkaburit, në veri të Irakut, sepse aty ishte i hapur kufiri. Arrijnë në një zonë, ku s’ka asgjë: nuk ka sistem uji të pijshëm, nuk ka kanalizime për ujrat e zeza, nuk ka strehime natyrore e, temperatura e kalon 45 gradëshin! Prandaj, organizatat humanitare duhet të ndërhyjnë me shpejtësi për të shpërndarë ujë e material sanitar, për të ndihmuar fëmijët dhe të gjithë të tjerët. Por kemi edhe ne nevojë për ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sepse u bënë dy vjet, që po punojmë në zonë, pa vëmendjen më të vogël nga bota.







All the contents on this site are copyrighted ©.