2013-08-21 14:56:49

Papa ia kushton botën Zemrës së Papërlyer të Shën Marisë, para shtatores së Zojës së Fatimës, më 12-13 tetor në Vatikan


Më 13 tetor, Papa Françesku ia kushton botën Zemrës së Zojës, në lutje para shtatores së Zojës së Fatimës në Vatikan, e cila shtegton për në Vatikan pikërisht ato ditë, së bashku me mijëra besimtarë, anëtarë të shoqatave e lëvizjeve me përshpirtëri mariane. Pikërisht më 12 e 13 tetor, kremtohet në Romë, në praninë e Atit të Shenjtë, Dita mariane, dita kushtuar Shën Marisë, e cila ka si temë “E Lume, sepse besove!”. Organizuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri, ky dyditësh bën pjesë në kremtimet e Vitit të Fesë, shpallur nga Papa i nderit Benedikti XVI, për të kujtuar 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit. Por ky vit është edhe një përvjetor i rëndësishëm i dukjes së fundit të Virgjërës Shenjte në Fatima. Ishte 13 tetor 1917, kur në Kova da Iria, në Portugali, Zoja iu duk për herë të gjashtë e të fundit tre barinjve, Luçisë, Françeskut e Gjaçintës.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ndodhi “mrekullia e Diellit”. Dielli ndryshoi ngjyrë, përmasë dhe pozicion për rreth 10 minuta. Për të kujtuar këtë datë, shtatorja origjinale e Zojës së Fatimës shtegton nga Portugalia në Sheshin e Shën Pjetrit, ku do të nderohet nga besimtarët. Të shtunën, më 12 tetor, të gjithë pjesëmarrësit në këtë nismë shtegtojnë për tek Varri i Shën Pjetrit në Vatikan. Pas një ore, adhurimi i Eukaristisë e kremtimi i Sakramentit të Pajtimit në disa kisha në zonën e Sheshit të Shën Pjetrit. Pasdite, në orën 17.00, shtatorja e Zojës së Fatimës pritet nga Papa Françesku, i cili do të mbajë një katekizëm kushtuar shën Marisë. Nga ora 19 e më pas, shtatorja e Virgjërës vendoset në shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore në Romë, ku do të thuhet Rruzarja në lidhje të drejtpërdrejtë me shenjtëroret mariane të të gjithë botës. Në orën 22, fillon Mbrëmja e lutjes.
Të nesërmen, e dielë, 13 tetor, shtatorja kthehet sërish në Sheshin e Shën Pjetrit: në orën 10, thuhet Rruzarja, ndërsa në orën 10.30, Papa Françesku kremton meshën. “Është dëshirë e Atit të Shenjtë – shpjegon kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela – që kjo Ditë mariane të ketë si simbol të veçantë një nga ikonat më domethënëse të Zojës për të krishterët e gjithë botës”.
Përkushtimi i Papës Françesku për Zojën e Bekuar është mëse i njohur, mjafton të kujtojmë vizitat private në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, që pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit e deri tek kthimi nga Dita Botërore e Rinisë në Brazil. Gjithashtu, më 24 korrik, Ati i Shenjtë ia kushtoi papninë Zojës së Aparesidës, me këtë lutje: “Po të kushtoj gjuhën time, që gjithnjë të të thurë lavde e të përhapë devocionin për Ty; po të kushtoj zemrën, që, pas Zotit, të të dojë mbi çdo gjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.