2013-08-21 15:56:19

Në Egjipt, arrestime të reja ndër Vëllezërit Myslimanë. Patriarkati kopto-katolik: nuk është luftë fetare


Në Egjipt vazhdon vala e arrestimeve kundër eksponentëve të partisë “Vëllazëria Myslimane”, pavarësisht nga kritikat e SHBA-së. Një predikatar u bllokua në afërsi të kufirit me Libinë, zëdhënësi i partisë “Liri e Drejtësi” u kap në aeroportin e Kajros, ndërsa 68 vetë të tjerë, ndër të cilët tetë palestinezë, u arrestuan në Sinai, me akuzën e vrasjes së 25 policëve, ditë më parë. Ndërkaq, Gjykata Penale e Kajros vendosi të pranojë kërkesën për lirimin nga burgu të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, i cili mund të dalë edhe nesër, nëse Prokuroria nuk do të apelojë. Priten sanksione nga ana e Perëndimit, por aleatët e qeverisë së re të Egjiptit, Arabia Saudite dhe disa nga vendet e Gjirit Persik kanë deklaruar se do t’i kompensojnë ato.
Nga ana e saj, Kisha Katolike në Egjipt, pavarësisht nga sulmet e nga djegja e vendeve të kultit dhe e institucioneve, përpiqet t’u çojë një ngushëllim sado të vogël, bashkësive të krishtera anembanë vendit. Të dëgjojmë sekretarin e Patriarkatit kopto-katolik të Kajros, atë Hani Bakhoum:
Mendohet se ky është një konflikt politik, por absolutisht, nuk është kështu. Kjo është luftë e të gjithë egjiptianëve – të krishterë e myslimanë – së bashku, me një dorë të vetme, kundër terrorizmit. Krijohet një konflikt tjetër, një luftë e brendshme ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, vetëm për ta çuar vendin drejt shkatërrimit. I dogjën kishat, sepse mendonin se të krishterët do të reagonin. Falenderojmë Zotin për autoritetet tona fetare, për Papën ortodoks Tauadros dhe për Patrikun tonë Ibrahim Isaak, sepse të dy pohuan: “Ky nuk është konflikt fetar e nuk kemi probleme me myslimanët”. Ja përse të krishterët nuk ranë në kurth e jo vetëm nuk kërkuan mbrojtje nga jashtë, por thanë: “Ne nuk duam mbrojtje nga jashtë: duam mbrojtje nga qeveria, ushtria, policia; jemi qytetarë të këtij vendi”.
Si po i ndihmon Patriarkati kopto-katolik të krishterët, gjatë këtyre ditëve?
Para së gjithash, ne po përpiqemi t’i qëndrojmë pranë popullit tonë. Unë, personalisht, gjatë gjithë ditës, shkoj nga një vend në tjetrin për të ngushëlluar njerëzit. Ky është misioni ynë, të jemi në mesin e popullit, sepse edhe ne jemi popull: Kisha është Populli i Zotit. Ne jemi një korp i vetëm. Kjo është e para: ndihma shpirtërore, morale. Natyrisht, nevojiten edhe ndihma të tjera. Ne kemi Zyrën e Zhvillimit e përmes saj, po hartojmë statistikat e të gjitha dëmeve, në mënyrë që të rindërtojmë e të ndihmojmë më pas. Dëmet janë të shumta, por jemi optimistë e kemi shpresë në të ardhmen. I besojmë Zotit, i cili, edhe nga kjo gjendje dramatike, do të dijë të nxjerrë të mirën për ata, që e duan.







All the contents on this site are copyrighted ©.