2013-08-21 16:16:18

Ditët e bukura të rinisë së krishterë në Rio


Botohet në L’Osservatore Romano, letra e Papës drejtuar kryeipeshkvit të Rios, Tempesta, me sytë kah Krakovi.
Kaloi, tashmë, një muaj, nga DBR-së e Rios. Por fryma e saj është e gjallë në shpirtin e miliona të rinjve, që morën pjesë në këtë përvojë të jashtëzakonshme.
Papa Françesku kujtoi, me gëzim, ditët e paharrueshme, që jetoi në Rio-de-Zhanéjro e, sidomos, dëshminë e fesë, shumë më të fuqishme se e ftohta e shiu, që dhanë të rinjtë nga mbarë bota, mbledhur në qytetin karioka.
Në një letër, drejtuar këto ditë kryeipeshkvit Orani Joao Tempesta, që mund të lexohet në të përditshmen e Vatikanit, Papa kujton çastet më domethënëse të ditëve të Rios, duke i falënderuar të gjithë ata, që dhanë ndihmesën e tyre të çmuar për suksesin e DBR-së e duke ia besuar, posaçërisht besimtarët e kryedioqezës braziliane, Zojës së Aparesidës. E ndërkaq lëvizja e DBR-së ka nisur të mendojë për datën e re të takimit, pas tri vjetësh, në trojet e të Lumit Gjon Pali II. Që nga çasti i njoftimit, dhënë nga Papa Françeseku në Rio, është aktiv kanali i internetit zyrtar në gjuhë të ndryshme, që mbledh informacione e dëshmi të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.