2013-08-20 15:57:39

Në Egjipt, arrestohet kreu i “Vëllezërve Myslimanë”. Ipeshkvi i Luksorit: ngujohemi në shtëpi, pa mundësi furnizimi me ushqime


Në Egjipt vazhdon protesta e partisë së “Vëllezërve Myslimanë”, të cilët kërkojnë kthimin e ish-presidentit Morsi. Qeveria aktuale arrestoi kreun e partisë, Mohamed Badia dhe zëdhënësin e Aleancës, ku bëjnë pjesë të gjitha formacionet pro-Morsi, Jusef Talaat. Sot, në një konferencë për shtyp, koalicioni deklaroi se do të fillojë një fushatë mosbindjeje civile, e cila përfshin bojkotimin e mediave, që sipas aleancës pro-Morsi, “mbjellin urrejtje dhe gënjeshtra”. Pastaj, do t’u vijë radha afaristëve, që kanë financuar puçin ushtarak e prodhimeve të atyre shteteve, që e mbështesin atë. Ndërkaq, dje në Sinai, u vranë 27 policë, ndërsa nesër, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e avokatit mbrojtës të raisit egjiptian, Hosni Mubarak, i cili mbahet në burg për njërën nga akuzat e korrupsionit, mbetur në këmbë, pas rënies së dy të tjerave. Dje, vetë avokati lajmëroi se vuajtja e dënimit nga ana e ish-udhëheqësit mund të vazhdojë në formën e arrestit shtëpiak. Nga ana e saj, OKB-ja përsëriti edhe sot kërkesën për lejimin e një skuadre ekspertësh të të drejtave të njeriut, që duhet të shkojë në Egjipt për të vlerësuar gjendjen në vend.
E nëse flasim për gjendje, bëhet gjithnjë e më e rrezikshme ajo e të krishterëve. Sot, ipeshkvi kopto-katolik i Luksorit, imzot Johanes Zakaria denoncon përmes agjencisë Fides, se të krishterët janë detyruar të mbyllen nëpër shtëpi e se u mungojnë edhe ushqimet. “Derdh lot për këta njerëz të thjeshtë, myslimanë e të krishterë, që banojnë në fshatrat e zonës e nuk kanë asgjë për të ngrënë, pasi ushqimet po mbarojnë e ata kanë frikë të dalin nga shtëpia – thotë ipeshkvi. Edhe kush ka para nuk mund të blejë ushqime, sepse dyqanet janë mbyllur. Dua të shkoj t’i ndihmoj, por nuk mundem, sepse edhe unë jam ngujuar në shtëpi”. Më 16 gusht, vetë imzot Zakaria u sulmua nga protestuesit, që arritën deri poshtë ipeshkvisë, duke thirrur “vdekje, të krishterëve”. Fatmirësisht, policia mbërriti në kohë. Megjithatë, në zona të tjera, u dogjën disa shtëpi të krishterësh. “Para dhjetë ditësh – tregon ipeshkvi i Luksorit – në një fshat këtu afër, u vranë 5 të krishterë e një mysliman. Për arsye sigurie, nuk mund të kremtojmë as festën e Zojës së Madhe, e cila këtu, përkujtohet më 22 gusht e jo më 15. Secili mbyllet në shtëpi. Unë jam i ngujuar në ipeshkvi që prej 20 ditësh”.
Kujtojmë se manifestuesit pro-Morsi i akuzojnë të krishterët si shkaktarët e rënies së ish-presidentit egjiptian. Në të vërtetë, shpjegon imzot Zakaria, të krishterët morën pjesë në manifestimet kundër Morsit, por ishin 30 milion, egjiptianët - pjesa më e madhe myslimanë – që dolën në sheshe kundër ish-presidentit. Sulmet kundër të krishterëve, denoncon ipeshkvi kopto-katolik i Luksorit, duan ta hedhin Egjiptin në kaos.







All the contents on this site are copyrighted ©.