Më 20 gusht kalendari kujton shën Bernardin e Kiaravales
Më 20 gusht kalendari kishtar përkujton shën Bernardin të Kiaravale, Abat e doktor
i Kishës . Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës,
sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë
e madhe të Etërve. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi
në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur. Në rini e tërhoqën
të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të
cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë,
ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur
trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me
manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e
këshillave ungjillore. Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim
të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe,
u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë
në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin
e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në
vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë
arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.
Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin
e Nderuar, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën e kaluar. Në këtë kohë Bernardi
luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si
‘Sermonet për Këngën e Këngëve”. Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq
në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë
të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton
të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi
i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione”
e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë papë i mirë. Libri mbetet aktual
për papët e të gjitha kohëve. Po e përfundoj këtë jetëshkrim të Shën Bernardit
me një lutje drejtuar Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura:
“Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin
e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja
e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh
rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të
gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh
frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish
pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).