2013-08-20 15:15:45

Kardinali Amato: më 30 shtator, Papa Françesku do të shpallë datën e kanonizimit të të Lumëve Ronkali e Vojtila


Më 30 shtator, Papa Françesku do të mbajë një koncistor, gjatë të cilit do të shpallë datën e shenjtërimit të Papës Gjoni XXIII dhe Papës Gjon Pali II. Lajmi u dha nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, sot në Rimini, në Mitingun e lëvizjes “Bashkim e Çlirim”. Kardinali ndodhej në qytetin bregdetar italian për hapjen e ekspozitës mbi Shën Gjon Baptistin Piamarta. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Në avion, duke u kthyer nga Brazili, Ati i Shenjtë pati deklaruar se shenjtërimi i tyre nuk do të jetë shumë i shpejtë – tani, gjatë muajve të fundit të vitit 2013 – por në vitin 2014. Datën e saktë, Papa do ta thotë më 30 shtator, kur të mblidhet koncistori i kryesuar prej tij, Koncistori për shenjtorët, pikërisht për këto dy kanonizime. Në atë moment, Ati i Shenjtë do të thotë datën zyrtare, që e di vetëm ai. Dua të them diçka për këto dy figura: Gjoni XXIII ishte profeti i madh e nismëtari i Koncilit; Gjon Pali II ishte ai, që e vuri në praktikë dhe zhvilloi më tej të gjitha pikpamjet më virtuoze të tij. Janë vërtet dy shtylla jo vetëm kulture, por edhe shenjtërie të krishterë.
Ju ndodheni në Takimin e Riminit për ekspozitën e shën Gjon Baptistit Piamarta, i cili u shpall shenjt në tetor 2012 nga Papa Benedikti XVI. Një shenjtor, që për shumë aspekte, ka të bëjë me realitetin e sotëm, me krizën, me gjendjen e të rinjve…
Është shenjtor me ndikim shoqëror të rëndësishëm, siç janë edhe shumë të tjerë, ndër të cilët, Don Bosko. Ky interes i tij shoqëror ka të bëjë sidomos me të rinjtë e varfër, të pashkollë, të cilëve u jepte një zanat. Atëherë, të mësoje një zanat si artizan do të thoshte ta kishe jetën e siguruar. Prandaj, ka qenë shenjt, që kontrbuoi shumë në ngritjen shoqërore të të rinjve: të rinj të varfër, shpesh të mënjanuar, që nuk integroheshin në shoqëri, pasi u mungonte kultura e nevojshme. Sot, gjendja ka ndryshuar në të kundërt: sot, të rinjtë janë jashtëzakonisht të arsimuar, por u mungon puna. Pikërisht me punësimin duhet të merren përgjegjësit e shoqërive të sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.