2013-08-20 18:07:26

Durrës: Zbulimet e anijeve antike, dëshmojnë tregtinë intensive tregtare në Mesdhe


Arkeologët nënujorë kanë zbuluar kohët e fundit në gjirin detar të Durrësit një relikt anije të periudhës antike. Ngarkesa me amfora të transportit të verës dhe të vajit është tregues i shkëmbimeve intensive tregtare në brigjet mesdhetare, duke vërtetuar gjithnjë e më shumë praninë konstante të flotës së anijeve tregtare të Ilirisë së jugut.


Dr. Adrian Anastasi, drejtues i projektit të Institutit të Arkeologjisë, tha se relikti i zbuluar së fundi është emërtuar për motive studimore me emrin “Dyrrachium 3”, pas dy relikteve të parë që janë gjetur në zonën e Kepit të Palit dhe brigjeve përballë Durrësit gjatë periudhës 2004-2007.


Sipas dr. Adrian Anastasit, ngarkesa me amfora adriatikase të tipit Lamboglia 2, (nga emri i arkeologut italian, që i zbuloi i pari) e daton edhe reliktin në periudhën nga fundi i shekullit të 2-të-fillimi i shekullit të 1-rë para erës sonë.


Janë zbulime të rëndësishme dhe entuziaste pasi në të gjithë Mesdheun janë gjetur 18 relikte gjithsej, ndërsa tipi i ngarkesave të zbuluara vërteton gjithnjë e më tepër raportet e qëndrueshme ekonomike të Ilirisë së Jugut me brigjet italiane si dhe me qendrat kontinentale dhe ishullore të Greqisë. Sigurisht, që gjeopolitika përcaktonte këto marrëdhënie ekonomike, dhe pas qetësisë së krijuar nga Pax Romana në shekullin e parë pas erës sonë edhe shkëmbimet tregtare ishin mjaft intensive dhe të stabilizuara, nënvizon dr. Anastasi.
Vektorët ekonomikë të Ilirisë janë shtrirë kështu përtej Mesdheut, i cili në këtë periudhë të historisë kthehet në një treg të përbashkët me stampë romake.


Dr. Adrian Anastasi, i cili edhe më parë ka mbrojtur me ngulm idenë e prezencës konstante të flotës tregtare ilire në ujrat e Mesdheut, shprehet se zbulimet e kohëve të fundit në të gjithe bregdetin shqiptar, por veçanërisht këto të Durrësit hedhin poshtë tezat e “piraterisë ilire”, me të cilat mvishej padrejtësisht lundrimi i anijeve ilire gati 2 mijë vjet më parë.


“Në respekt të këtij realiteti që sjellin zbulimet e fundit, rezulton se teza e “piraterisë ilire” është bllof dhe ka patur një synim politik të dominimit", vlerëson arkeologu nënujor. Siç e dimë, qytet-shtetet e Greqisë së lashtë, por edhe senati romak kërkonin shpesh herë “casus belli”, pra pretekste për ndërhyrje ushtarake. Krijimi i termit të piraterisë është i pavlefshëm, sidomos në kushtet kur në antikitet mungonte legjislacioni detar ndërkombëtar, pra edhe pirateria nuk kishte sens, shton ai.


Veprimtaria e pandërprerë dhe intensive tregtare në të gjithë periudhën tashmë vërtetohet nga gjetjet e fundit, në të cilat nuk ka asnjë shenjë ndërhyrjeje piratësh, me djegie apo me armë në bord, sqaron arkeologu me përvojë.


Burimet e shkruara antike, të cilat nuk japin të dhëna mbi veprimtarinë tregtare të lundrimit në Ilirinë e jugut, vijnë kryesisht nga autorë të lashtësisë me përkatësi greke dhe romake, por gjetjet e relikteve të anijeve me mallra, që dilnin nga porti i Durrësit, apo shkonin drejt tij janë vërtetimi konkret i shkëmbimeve ekonomike intensive mesdhetare mes porteve të Ilirisë dhe vëndeve të tjera të pellgut mesdhetar, përfshi edhe Afrikën e veriut.

Gjiri detar i Durrësit, hambar me objekte arkeologjike

Gjiri detar i Durrësit është një “hambar” me objekte arkeologjike, të cilat sqarojnë një periudhë gati 20-shekullore, nga shekulli i 6-të para erës sonë deri në fillimin e pushtimit otoman.


Pas periudhës 5-vjeçare të kërkimeve deri në vitin 2007, arkeologu nënujor dhe ndihmësit e tij i janë rikthyer përsëri gjirit detar të Durrësit me një zbulim të ri, atë të “Dyrrachium 3”.


Ekspeditat e përbashkëta të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë me fondacionin amerikan RPN – NF, ku dr. Anastasi është bashkëdrejtor për palën shqiptare, gjatë këtij viti janë mjaftuar për motive të karakterit teknik me 10 ditë skanime nënujore në gjirin detar të Vlorës.
Kjo i ka dhënë mundësinë dr. Adrianit t'i kushtohet plotësisht projektit të Institutit të Arkeologjisë, ku ai drejton sektorin e arkeologjisë nënujore. "Pranë reliktit “Dyrrachium 3" gjetëm edhe një objekt shumë pak të gjetur edhe në zbulimet e tjera mesdhetare", dëshmon dr. Adrian Anastasi. Bëhet fjalë për një element të anijes “tubulum fitilu”, që mund të jetë pjesë e setinës së anijes, apo mund të këte shërbyer për të bllokuar ngarkesën gjatë lundrimit. Krahas materialit arkeologjik këtë vit janë zbuluar edhe dy spiranca, më saktë elementët e plumbit të një spirance detare me përdorim gati mijëvjeçar, duke nisur nga shek. 6-të para erës sonë, si dhe një krah spirance 2300-vjeçare.


Vetëm në periudhën 2004-2013 në brigjet detare, falë bashkëpunimit të peshkatarëve dhe qytetarëve të tjerë durrsakë janë zbuluar pesë spiranca që mbulojnë një periudhë 1000-vjeçare të lundrimit.


Këto elementë përcaktojnë madhësinë e anijeve që lundronin pranë brigjeve shqiptare dhe mund të them me kënaqësi se tipologjitë e spirancave të zbuluara deri tani në Mesdhe janë gjatur tashmë edhe në bregdetin shqiptar-shprehet dr. Adrian Anastasi.
Spirancat e dimensioneve të mëdha për anijet e periudhës 6-3 para erës sonë janë dëshmi e pranisë së anijeve mbi 300 ton, mjaft të mëdha për kohën, por edhe të vëllimit të shkëmbimeve ekonomike mes Ilirisë dhe vendeve të tjera të Pellgut. Porti i Durrësit dallohej pikërisht për vëllimet e mëdha dhe reliktet e gjetura vërtetojnë se këto anije i drejtoheshin ose po niseshin nga qyteti bregdetar.
Sitet arkeologjike nënujore të Durrësit duhet të vendosen nën mbrojtje shtetërore, shprehet dr. Adrian Anastasi, duke sjellë shëmbullin pozitiv të vendeve fqinje si Mali i Zi, Kroacia, Greqi apo Italia. Ai shton se dëmet e shkaktuara nga “arkeomafia” nënujore mund të rrezikojnë edhe zbulimet e reja, të cilat, përveç mbrojtjes duhet t'i nënshtrohen një procesi të mirëfilltë studimor, çka kërkon vëmendje dhe financime. (ngaGazetaShqiptare/BalkanWeb)







All the contents on this site are copyrighted ©.