2013-08-19 15:43:14

Dita Botërore e ndihmave humanitare


Më 19 gusht 2003, në sulmin terrorist kundër selisë së OKB-së në Bagdad, humbën jetën 22 vetë, ndër të cilët edhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara në Irak, diplomati brazilian, Serxho Vieira de Melo. Që prej asaj dite, 19 gushti është caktuar të kremtohet si Dita e Ndihmave Humanitare. Sot, në 10-vjetorin e nismës, u mbajt një ceremoni përkujtimore në Pallatin e Qelqit në Nju Jork. Por sa rrezikojnë njerëzit, që shkojnë në çdo cep të botës për të shpërndarë ndihma? Pyetëm Komisaren evropiane për bashkëpunimin ndërkombëtar, ndihmat humanitare dhe përgjigjen ndaj krizave, Kristalina Gjeorgjeva:
Fatkeqësisht, shohim se shtohet dhuna kundër njerëzve, që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, janë vrarë 880 veprimtarë humanitarë e rreth 1.500 të tjerë janë plagosur, ose rrëmbyer: tri herë më shumë se në periudhën e mëparshme të luftës në Irak. Kjo, sepse ka pasur më tepër dhunë. Për shembull, në Siri po vijon një konflikt i përgjakshëm, që injoron krejtësisht sigurinë e mjekëve dhe të veprimtarëve humanitarë. Goditen ambulancat, bombardohen spitalet, bllokohen karvanet, që transpostrojnë ushqime e ilaçe, të cilat vidhen nga njerëz të armatosur… Për shkak të dhunës kundër veprimtarëve humanitarë vdesin ata dhe njerëz të tjerë, që i shoqërojnë.
A keni qenë në Siri?
Kam qenë shpesh në vendet fqinjë, ku jam takuar me refugjatët sirianë. Kam qenë, natën, në kufirin ndërmjet Jordanisë e Sirisë e kam parë njerëz pa asgjë me vete, vetëm me rrobat veshur: në fytyra, tmerri për ç’kishin lënë pas. Nuk kam qenë në Siri, sepse duhet një leje e veçantë e qeverisë së al Asadit. Kriza siriane është më e keqja e dhjetëvjeçarëve të fundit, ka shkaktuar 100 mijë të vdekur e 1 milion e 700 mijë refugjatë në vendet fqinje, por edhe 5 milion të shpërngulur brenda vendit.
Përveç Sirisë, nuk duhen harruar edhe zonat e tjera të botës, në të cilat vazhdon kriza…
Po, kohët e fundit kam qenë në Republikën e Afrikës Qendrore, në një vend me 4 milion e 600 mijë banorë. Kam qenë në qytezën e Kaga-Bandoros, ku vizitova spitalin. Struktura s’ka absolutisht asgjë, as drita, as mjete mjekësore, as ilaçe, as ushqim, as dyshekë. Dikush në spital më pyeti: “Si ka mundësi që bota na ka harruar krejt?” Mund t’i përgjigjem vetëm duke bërë ç’është e mundur për ta ndihmuar. Vitin e kaluar dhamë për këtë vend 8 milion euro, ndërsa këtë vit, 20 milion e ndoshta edhe më tepër. Asnjë vend nuk duhet braktisur, sepse braktisja do të thotë vuajtje të mëdha për banorët, por edhe mungesë sigurie për vendet fqinje e për të gjithë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.