Blez Paskal, matematikan, fizikan, filozof e teolog
Sot me 19 gusht përkujtojmë vdekjen e Blez Paskal, matematikan, fizikan, filozof
e teolog. Që kur ishte i vogël, Blez Paskal dëshironte të dinte gjithçka, të kuptonte
gjithçka, të zbulonte gjithçka e të vërtetonte gjithçka, duke përfshirë këtu edhe
Zotin. Për t’u dëfryer e pa ndihmën e askujt, përcaktoi shumën e këndeve të trekëndëshit.
Fëmijë i mrekullueshëm! Mungesa e së ëmës ndikoi fuqimisht mbi jetën e tij: ngrohtësinë
e prehrit të dashur, që i mungonte, u mundua ta zëvendësojë duke shfrytëzuar në kulm
zgjuarsinë, me të cilën ishte i pajisur si moskush. E me që kjo zgjuarsi ishte tepër
e madhe, nisi të mendonte se mund t’i zgjidhte lehtësisht të gjitha problemet. E
ai problemet i adhuronte. Nisi t’i bëjë të jatit aq shumë pyetje, sa ai, duke mos
qenë në gjendje t’i përgjigjej, e lejoi të lexojë gjithçka dëshironte në bibliotekën
e madhe të familjes. I emëruar nga mbreti komisar i taksave për gjithë Normandinë,
babai i tij, Etien Paskal, e kalonte kohën duke bërë llogari, duke numëruar e stërnumëruar
shtylla të pafundme numrash. Blezi e dëgjonte shpesh duke nëmuruar, sepse mbledhjet,
zbritjet, shumëzimet e pjesëtimet nuk i dilnin kurrë të sakta. Si t’ia bënte për ta
ndihmuar? Blezi projektoi një makinë llogaritëse dhe e realizoi në praktikë. Makina
funksionoi! Kështu ai prodhoi pesëdhjetë copë. Pak kohë më vonë i jati, pas një rrëzimi,
u detyrua të qëndrojë në krevat. Miqtë e vizitojnë e i sjellin gjithnjë libra për
të lexuar. Blezi i shfleton e krijon një ide të re për Zotin, krejt të ndryshme nga
ajo që kishte deri në atë çast: zbulon se Zoti është i ndjeshëm, se i pranon me gëzim
lutjet e njerëzve. Blezi vijon me etje të pashuar kërkimet e veta. Bën eksperimente
të ndryshme që dëshmojnë trysninë e ajrit… Pastaj i jati vdes e për një farë kohe
djaloshi ndjek jetën e salloneve mondane. Mendon, madje, edhe të martohet. Por kjo
nuk e bën aspak të lumtur. Përkundrazi. Ndjehet fare i mjerë. Pastaj, edhe i sëmurë.
Që në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare i nis një sëmundje e çuditshme: kriza me akullimin
e këmbëve e me dhimbje të forta koke. E ndjen veten si të ishte buzë një gremine,
gati për t’u rrokullisur në fundin e saj të errët. Këtyre trazirave të tmerrshme,
i shtohet një edhe më e madhe: nuk ia del dot mbanesh të vërtetojë ekzistencën e Zotit.
Nata e 23 nëntorit 1654 shënon për të një kthesë tepër të madhe: Blezi e kupton
se ekzistenca e Zotit nuk mund të vërtetohet duke përdorur kryesisht arsyen. Është
Zoti vetë ai që e bën hapin e parë. Është ai që i dhurohet njeriut. Hyji i Biblës,
i zbuluar nga Jezusi, nuk është Hyj i largët, i fshehur në pafundësinë e hapësirës,
por Hyj i afërt, që mund të njihet me zemër, që gjendet në zemër të vetë jetës. Kjo
përvojë e Hyjit e shndriti, e bëri të rilindë. Gëzimi i tij ishte i pakufishëm; ky,
po ishte zbulimi më i madh i jetës së tij e zanafillë e dy veprave të mrekullueshme:
‘Lettres provinciales’ (Letrat provinciale) e Pensées (Mendime). Blez Paskal, matematikan,
fizikan e filozof, vdes më 19 gusht të në vitin 1662, duke lënë pas një trashëgimi
të tillë fetare e shkencore, që e bën emrin e tij të pavdekshëm.