2013-08-18 17:13:17

Tweet i Papës: “Nuk mund të flejmë të qetë, ndërsa fëmijët vdesin nga uria e pleqtë, nga mungesa e kujdesit”.


“Nuk mund të flejmë të qetë, ndërsa fëmijët vdesin nga uria e pleqtë, nga mungesa e kujdesit”. Është Tweet i ri i Papës, që u duk sot në faqen e internetit @pontifex, lexuar nga 8,5 milionë ndjekës. Në shumë raste Papa ka vënë theksin mbi mbrojtjen e njerëzve të ligshtë, duke kritikuar thellësisht kulturën e përjashtimit. T’i kujtojmë disa nga fjalët e Atit të Shenjtë në mbrojtje të atyre, që nuk kanë mbrojtje, as zë.Të ndihmohen më të ligshtit, më të varfërit, sepse ata janë ‘korpi i munduar i Krishtit”. Papa Françesku, me fjalë, e edhe më shumë me gjeste, siç është vizita në Lampeduzë e në favelën Varghinha, po dëshmon sa rëndësi ka të mos i ndjekësh me indiferencë vuajtjet e atyre, që pësojnë sot mundimet e Krishtit në kryq. Vëmendja e Papës përqendrohet posaçërisht mbi fëmijët e të moshuarit, aq të ndryshëm në moshë, aq të afërt në brishtësi. Plaku, si fëmija, ka të njëjtën nevojë për pak dashuri e për shumë kujdes. Janë plaku e fëmija, thekson Papa Françesku, viktimat e para të ‘kulturës së përjashtimit e të flakjes”. Shoqëria, që llogarit vetëm sasinë e prodhimit e të fitimit, nuk merret fare me fëmijët e varfër, me ferishtet e palindura, me pleqtë, me njerëzit e gjymtë. Ata enden si hije, të padukshëm, në vise të varfëra e të pasura, ku jeta vlen më pak se një titull në Bursë:
“Nëse një natë të akullt dimri, këtu, fare pranë nesh, në Otaviano, për shembull, vdes një i pastrehë, ky nuk është lajm. Nëse në të katër anët e botës mijëra fëmijë nuk kanë të hanë, as ky nuk është lajm, duket diçka normale. Po nuk mund të jetë kështu!(...). Përkundrazi, ulja prej dhjetë pikash e bursave të disa qyteteve, përbën një tragjedi. Vdekja e njeriut nuk është lajm, po dhjetë pika më pak në bursë shikohen si tragjedi. Kështu njerëzit hidhen jashtë shoqërisë, si të ishin fundërrina!(Audienca e përgjithshme, 5 qershor).
Por njerëzit, porosit Papa, nuk janë kurrë fundërrina! Prandaj duhen kujdesur gjithnjë, nuk duhen flakur kurrë. E në DBR-së së Rios, Papa shfrytëzoi rastin t’i kujtojë botës, nga tribuna planetare e të rinjve, se i riu ka shumë nevojë për plakun. Françesku, që citon gjithnjë nënëdajën, si model urtie, u kërkon të rinjve të mos i përjashtojnë pleqtë, sepse janë tepër të nevojshëm për transmetimin e fesë, të vlerave, të kujtesës njerëzore e historike:
“Uno podría pensar que podría haber una especie de eutanasia escondida…”Ndokush, vërejti Papa, duke u folur të rinjve argjentinas, në katedralen e Rios, mund të mendojë se ekziston një eutanazi e fshehur. Është mungesa e kujdesit për të moshuarit. Por, denoncon, ekziston edhe eutanazia kulturore kundër pleqve, të cilëve nuk u krijohen kushtet e nevojshme të flasin e të veprojnë. Atëhere, të rinjtë duhet t’i ndihmojnë me të gjitha forcat, duhet t’i vlerësojnë, ndërsa pleqtë duhet të hapin gojën e t’i mësojnë, t’u transmetojnë urtinë e popujve.







All the contents on this site are copyrighted ©.