Shën Flori e Lauri, martirë nga Ulpiana e Dardanisë
Duke shfletuar kalendarin kishtar e kombëtar, më 18 gusht, dëgjues të nderuar po përkujtojmë
festën e martirëve shën Florit e Laurit, vëllezër binjakë nga Ulpiana e krahinës së
Dardanisë. Dy vëllezërit Flori e Lauri ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar
nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit. Qenë nxënës të Prokolit e të
Maksimos, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri
nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, ku
punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit
guvernator. Krahas punës së tyre e përkujdesimit për të varfrit, i luteshin panderprerje
Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që obligonin perandorët romakë. Për
shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të ungjillit e përhapjes
së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë,
me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën
për së gjalli. Menjëherë pas martirizimit të tyre, besimtarët e krishterë, të kohës
shkonin tek vendi i varrit të tyre për t’iu lutur Zotit dhe me ndërmjetësimin e shën
Florit e Laurit kërkonin hire e bekime Hyjnore . Kulti në nderim të tyre u përhapë
shumë shpjet në të gjitha Kishat lindore, e jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, u
përhapën ndër besimtarë, aq sa u bënë shembuj të jetës së përsosur të krishterë. Shën
Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, pse ata nuk e flijuan
fenë e tyre për të arritur suksese materiale e poste të rëndësishme në shoqëri. Flijuan
gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin
e jetës, për të arritur të mirën e vetme që është Jezu Krishti. Prandaj, shembulli
i tyre është mësim e nxitje edhe për ne sot, që t’i përmbahemi vlerave të vërteta,
njerëzore e shpirtërore.