Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot u lut për paqen në Egjipt dhe kujtoi se “feja
nuk është stoli e nuk pajtohet me dhunën”
Fe nuk do të thotë ta hijeshosh jetën me pakëz besim: janë fjalët e Papës Françesku
që, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot shpjegoi fragmentin e Ungjillit, në të cilin Jezusi
thotë: “Nuk erdha të sjell paqe!”. Ati i Shenjtë nënvizoi sidomos, se “feja është
e papajtueshme me dhunën, por edhe se të besosh, nuk do të thotë të mbash qëndrim
asnjanës”. Pastaj, një mendim për viktimat e tragetit mbytur në Filipine dhe një lutje
të njëzëshme, për paqen në Egjipt. Feja kërkon të zgjedhësh Zotin si kriter bazë
të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët, nuk është asnjanës, Zoti është dashuri! Papa
Françesku i shkundi ndërgjegjet e të krishterëve, duke pohuar se “Jezusi u kërkon
të heqin dorë nga e keqja, nga egoizmi e i fton të zgjedhin të mirën, të vërtetën,
drejtësinë, edhe kur kjo kërkon flijime, larg interesave vetjake”. U ndalua tek një
shprehje e Jezusit, Papa: “na vë në krizë”, e cila duhet shpjeguar, përndryshe mund
të shkaktojë keqkuptime. Jezusi u thotë dishepujve të vet: “Kujtoni se erdha të sjell
paqen mbi tokë? Jo, unë po jo them, nuk erdha të sjell paqen, por ndasinë”. E Françesku
shpjegon: “Do të thotë se feja nuk është stoli, ornament. Fe nuk do të
thotë ta zbukurosh jetën me pakëz besim, si të ishte tortë, që stoliset me ajkë. Jo!
Feja na kërkon ta zgjedhim Zotin si kriter bazë të jetës, e Zoti nuk është i zbrazët,
Zoti nuk është asnjanës, Zoti është gjithnjë pozitiv, Zoti është dashuri e dashuria
është pozitive”. Zoti ka fytyrë, ka emër: Zoti është mëshirë, është besnikëri,
është jetë, që dhurohet, kujtoi Papa Françesku, e shtoi: Pasi Jezusi erdhi në botë,
nuk mund të sillemi si të mos e njihnim, si të ishte diçka abstrakte, e zbrazët,
vetëm një emër e asgjë më: “Jezusi është paqja jonë, është pajtimi
ynë! Po kjo paqe nuk është paqe varrezash, nuk është asnjanësi. Jezusi nuk sjell asnjanësi.
Ta ndjekësh Jezusin, do të thotë të heqësh dorë nga e keqja, nga egoizimi e të zgjedhësh
të mirën, të vërtetën, drejtësinë, edhe kur duhet të flijohesh e të heqësh dorë nga
interesat vetjake. E kjo shkakton ndasi, e dimë, krijon edhe rrezikun e këputjes së
lidhjeve më të forta. Por, kujdes, nuk është Jezusi, Ai që ndan. Krishti cakton
kriterin; të jetosh për vetveten ose të jetosh për Zotin e për të tjerët; të shërbesh
ose të shërbehesh; t’i bindesh vetvetes ose t’i bindesh Zotit. E ky është edhe kuptimi
i shprehjes: ‘Jezusi është shenjë kundërshtie”. Në vijim Papa Françesku
nënvizoi se kjo shembëlltyrë e Ungjillit nuk e lejon, në asnjë rast e në asnjë mënyrë,
përdorimin e forcës për mbrojtjen e fesë. Përkundrazi, shpjegoi, forca e vërtetë e
të krishterit është forca e së vërtetës, e dashurisë. Kërkon të heqësh dorë nga çdo
tip dhune. Feja e dhuna janë të papajtueshme: “Nësa feja e qëndresa
shkojnë bashkë. I krishteri nuk është njeri i dhunshëm, por i fortë. E me çfarë force?
Me atë të butësisë. Me forcën e ëmbëlsisë e të dashurisë”. Ati i Shenjtë
kujtoi se edhe në farefisin e Jezusit kishte nga ata, që nuk ishin një mendjeje me
mënyrën si jetonte e si predikonte Zoti. Na e thotë Ungjilli. Por, në fund, për virtyt
të fesë së Marisë, familjarët e Jezusit i gjejmë në radhët e bashkësisë së parë të
krishterë. Më pas Papa i ftoi të gjithë: “T’i lutemi Marisë të
na ndihmojë t’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin e ta ndjekim gjithnjë, edhe kur kjo
kushton shtrenjtë”. Ati i Shenjtë komentoi, në vijim, Letrën drejtuar Hebrenjve,
lexuar në Liturgjinë e së dielës, e cila i inkurajon besimtarët t’i kenë gjithnjë
sytë të ngulur mbi Krishtin, duke sqaruar se këtë shprehje duhet ta nënvizojmë fort
gjatë Vitit të Fesë. T’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin, sepse feja, që është ‘po’-ja
jonë në lidhjen bijnore me Zotin, vjen nga Ai: është Ai, i vetmi krijues i kësaj lidhjeje
ndërmjet nesh e Atit tonë, që është në qiell: Jezusi është Biri i Hyjit, e ne jemi
bij në Të. Pas lutjes mariane, Papa Françesku theksoi përsëri se feja nuk është
stoli; i porositi besimtarët të kujtojnë se feja është qëndresë, është forcë e
shpirtit, jo e shpatës. Pastaj një mendim për viktimat e ndeshjes së një trageti
me një anije mallrash në detin e Filipineve. E edhe një lutje e re për paqen në Egjipt,
duke i ftuar të gjithë besimtarët të bashkojnë zërin me zërin e Atit të Shenjtë: “Të
vijomë të lutemi edhe për paqen në Egjipt, gjithë së bashku: Mari, Mbretëreshë e paqes,
lutu për ne. Të gjithë: Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne!”. Lutja
e së dielës përfundoi me një përshëndetje të përzemërt, drejtuar romakëve e shtegtarëve,
familjeve, grupeve famullitare, të rinjve, grupit folkloristik polak, ardhur nga
Edmontoni i Kanadasë. Një përshendetje e veçantë, të rinjve të Brembilës, pranë
Bergamos e pastaj, bekimi i Pishtarit, që do ta çojnë , duke ecur në këmbë, nga Roma,
në vendin e tyre. Në fund, përshëndetja të rinjve të Altamurës e: “Të gjithëve,
urimi për një të dielë, javë e drekë të këndshme”.
Në lutjen e Engjëllit
të Tënzot ishte i pranishëm edhe don Arjani, meshtar i ri shqiptar, që shërben
në Laç të Vaut të Dejës. Në mikrofonin tonë, flet për mbresat, që i lanë fjalët e
Papës, duke nënvizuar se duhet të bashkojmë zërat në lutjen drejtuar Marisë për paqen
e të mos harrojmë se feja e dhuna nuk mund të pajtohen kurrë, porosi me vlerë tejet
aktuale për shqiptarët:...