2013-08-16 14:55:37

Rubrika “Te gurra e besimit”: Shën Agostini dhe etja për të Vërtetën!


Përvoja shpirtërore e Shën Agostinit, sipas Benediktit XVI, është argumeti i emisionit XIX të rubrikës sonë “Te gurra e besimit”. Papa Ratcinger na këshilloi ta zgjedhim si shok udhe, megjithëse udha e tij nuk ishte aspak e lehtë. Mendoi se mund ta takonte të Vërtetën në post, në karrierë, në pasuri, në zërat, që i premtonin lumturi. Bëri gabime mbas gabimesh, ra shpesh në dëshpërim, pësoi dështime, por nuk u ndal kurrë, nuk u kënaq kurrë me atë, që i jepte vetëm një fill drite: diti të shikojë brenda shpirtit të vet e pa, siç shkruan në CONFESSIONES ’(Rrëfimet), se të vërtetën e Zotit, të cilën e kërkonte me të gjitha forcat e veta, e kishte pasur gjithnjë pranë, se nuk e kishte braktisur kurrë, se ishte në pritje për të hyrë përfundimisht në jetën e tij (cfr III, 6,11,X,27,38). Kuptoi, kështu, se nuk e gjeti ai të Vërtetën, por e Vërteta, vetë Zoti, e ndoqi pas dhe e gjeti. E kuptoi edhe se Hyji është “lavdia, që gjunjëzohet; pija, që shuan etjen; thesari, që të bën të lum”. Gjeti, më në fund, lumturinë e dashurisë, që thotë: “Kjo është gjithçka, e më mjafton”.
Gjithnjë në veprën “CONFESSIONES ”, në Librin e nëntë, Shenjti kujton një bisedë me të ëmën. Është një skenë shumë e bukur: ai e nëna e tij janë në Ostia, në një hotel. Shikojnë, nga dritarja, detin e, duke u lartuar mbi qiell e mbi det, për një çast prekin zemrën e Zotit, në heshtjen e thellë të krijesave të tij. Pikërisht këtu shikojmë idenë themelore të udhës drejt së Vërtetës. Krijesat duhet të pushojnë së foluri, për t’ia lëshuar rrugën heshtjes, në të cilën Zoti mund të flasë. E kjo vlen edhe për kohën tonë. Nganjëherë njeriu ka frikë nga heshtja, nuk dëshiron të mendojë për veprimet e veta, për kuptimin e jetës. I pëlqen më shumë të shtyjë ditë më tjetrën, të jetojë çastin kalimtar, sepse kështu i duket se jetohet më lehtë, më cekët, pa ankthe. Njeriu nganjëherë druhet ta kërkojë të Vërtetën, ose ka frikë se e Vërteta, më në fund, do ta gjejë, do ta pushtojë, do t’ia ndryshojë jetën, si ia ndryshoi Shën Agostinit.
Papa Benedikti dëshiron t’u thotë të gjithëve, edhe atyre, që kalojnë çaste të vështira në rrugën e fesë, që marrin pjesë pak në jetën e Kishës a që nuk duan ta kenë Zotin pranë, të mos kenë frikë nga e Vërteta, të mos e ndalin kurrë ecjen drejt saj, të mos pushojnë kurrë s’e kërkuari të Vërtetën e thellë mbi vetveten e mbi sendet, duke i shikuar me syrin e zemrës. Hyji sigurisht do t’u japë Dritën për të parë, ngrohtësinë për ta ndjerë në thellësinë e shpirtit se Ai i do e dëshiron ta duan.







All the contents on this site are copyrighted ©.