Në numrin e fundit të revistës së Universitetit Katolik të Milanos “Jeta e Mendimi”(n.3,
2013), botohet një artikull i studiuesit e analistit të ndryshimeve globale, Filip
Xhenkins, profesor i shkencave humaniste në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë,
në të cilin mbrohet teza se zhvillimi demografik i botës myslimane i bie ndesh mendimit
të përhapur në Perëndim se fëmijët e myslimanëve do të islamizojnë Evropën. Sociologu
protestant anglez e shpjegon këtë në artikullin me titull “Një rënie, vërtet e papritur”,
ku shkruan se një revolucion i vërtetë ka përfshirë Afrikën e Veriut e Lindjen e Mesme,
por nuk është ai, që zë faqet e para të mediave të të gjithë botës e, s’ka të bëjë
aspak me Pranverën arabe. Në shkujdesjen e plotë të Perëndimit, shumë shoqëri myslimane
të këtyre zonave – kjo është teza e profesorit – po pësojnë një shndërrim demografik
të tillë, sa t’i afrohen Evropës. Gjatë 30 vjetëve të fundit, hapat përpara, sidomos
në fushën e të drejtave të grave, që u kanë dhënë atyre më shumë qëndrueshmëri e sidomos
punë, kanë bërë që një familje me 7-8 fëmijë të konsiderohet e papërballueshme edhe
aty, ku deri dje, kjo ishte normale. E po t’u shtohet këtyre përhapja e ideve të reja
të emigrantëve, që kthehen nga Evropa me mendësi të ndryshuar, kuadri bëhet i plotë. Kështu,
shkruan Filip Xhenkins me statistika në dorë, treguesi i fertilitetit të grave në
Algjeri ka rënë nga 7 në 1,75, njëlloj si në Danimarkë apo në Norvegji; në Tunizi,
nga 6 në 2,03, njëlloj si në Francë; në Marok, nga 6,5 në 2,21; në Libi, nga 7,5 në
2,96. Prandaj, thekson studiuesi, nuk është Evropa që po islamizohet, por Magrebi
e Lindja e Mesme, që po evropianizohen. Të të njëjtit mendim janë edhe dy specialistë
të tjerë: Khaled Fuad Allam, mysliman, profesor i sociologjisë së botës islamike në
Universitetin e Triestes dhe Xhuzepe Kafuli, katolik, drejtor i publikimeve të Rojtarisë
Françeskane të Tokës Shenjte.