Më 16 gusht kalendari Kishtar përkujton shën Rrokun
Më 16 gusht kalendari kishtar përkujton Shëna Rrokun, shtegtar e mrekullibërës. Shën
Rroku është një nga shenjtërit më popullorë të Kishës katolike. Kulti i nderimit të
tij nisi të përhapej në mënyrë të jashtëzakonshme në Evropë në fillim të shekullit
XV. Në këtë kohë Kontinenti i Vjetër rënkonte nën peshën e tmerrshme të sëmundjes
së murtajës. E te shën Rroku, ndërmjetësues pranë Zotit për ata njerëz që vuajnë nga
kjo sëmundje e në përgjithësi nga plagët e ndryshme, Evropa e asaj kohe gjeti shpëtimtarin
e vet, Jetëshkrimi i shën Rroku, shtegtar, është plot me ngjarje legjendare. Lindi
në Montpellier të Francës, ndërmjet viteve 1345 e 1350 e vdiq shumë i ri jo mase 32
vjeç në Voghera ndërmjet vitit 1376 e 1379. Pasi shpërndau të gjitha pasuritë ndërmjet
të varfërve të qytetit (Montpellier), u nis për shtegtim drejt Romës. Gjatë rrugës
mbeti i tronditur nga shkretimi që kishte shkaktuar murtaja. Urtia njerëzore i thërriste
që të largohej me vrap nga ajri i molepsur i Italisë. Po samaritani i mirë nuk u frikësua
nga sëmundja vdekjeprurëse. Kështu shën Rroku vendosi t’u shërbente të sëmurëve në
lazaretet vendase. E aty me ndihmën e Hirit të Zotit kreu shërimet e para të mrekullueshme. U
nis për Romë, duke u ndalur vazhdimisht kudo që ndizej një vatër e re e sëmundjes.
Veproi kështu në Cezena e pastaj në Romë. Këti shëroi një kardinal, i cili pastaj
e paraqiti te Papa. Edhe në Romë, shën Rroku u bë i përmendur për vepra të dashurisë
së krishterë. Nga Roma u nis për në Italinë veriore, duke kaluar nga Rimini, Novara
e Piacenza. Në Piacenza u prek nga sëmundja. Lunga e tmerrshme plot qelb që iu
hap në njërën këmbë, e pengoi të vazhdonte veprimtarinë e vet në ndihmë të të sëmurëve
nga murtaja. U largua nga qyteti, në drejtim të brigjeve të Lumit Po, në kërkim të
një vendi të shkretë, për të vdekur në vetmi, pa iu bërë barrë askujt. Në ikonografi,
Shën Rroku paraqitet shpesh i veshur si shtegtar, me një qen që i rri pranë. Qeni
mban në gojë një bukë...Paraqitet kështu, sepse në kohën e sëmundjes, shën Rroku jetoi
i izoluar në një kasollë në brigje të lumit. U ushqye me bukën që i sillte çdo ditë
një qen rrugësh e shoi etjen me ujin e një gurre që shpërtheu mrekullisht nga toka
pranë vendit ku ngrihej kasollja vetmitare. Në këtë strehim e gjeti patrici Gottardo
Pallastrelli, i cili e mori në shtëpinë e vet, ku u kujdes për të deri sa u shërua
plotësisht. Shën Rroku i shëruar u largua nga Piacenza. Vazhdoi shtegtimin drejt
veriut, por, si arriti pranë “Liqenit të Madh (Il Lago Maggiore), e ngatërruan bagimisht
me një spiun i cili kërkohej nga policia dhe e flakën në burg, ku vuajti për pesë
vjet rresht e ku edhe vdiq i harruar nga të gjithë. U shpall shenjt ndërmjet viteve
1414-1418- Reliket e tij ruhen në Venedik. Për nder të tij ngrihen kudo nëpër
botë spitale, kuvende, kapela e Kisha. Shën Rroku është posaçërisht i nderuar në
Shqipërinë e Veriut e në Kosovë, ku shumë besimtarë mbajnë emrin e tij. Është pajtori
qiellor i fshatit të peshkatarëve, Shirokës, buzë Liqenit të Shkodrës, ku organizohet
procesioni tradicional me këngë të përshpirtshme rreth e qark Kishës së re. Një
Kishë tjetër kushtuar Shëna Rrokut ndodhet në Kosovë, në fshatin Novoselë të Gjakovës,
ku gjithashtu sot kremtohet solemnisht e me përshpirtëri festa e Pajtorit Qiellor
të këtij fshati të bukur. Të gjithë atyre që kanë marrë në pagëzim emrin Rrok -
duke nisur nga kryeipeshkvi i Tiranë- Durrësit, gëzuar ditën e emrit!