2013-08-16 16:58:23

Kaos në Egjipt. Viktima, në ndeshjet me policinë, në “ditën e zemërimit”


Egjipti në kaos. Pavarësisht nga masat e jashtëzakonshme të sigurisë, përkrahësit e ish-presidentit Morsi, siç kishte paralajmëruar partia e Vëllezërve Myslimanë, dolën sot sërish në sheshe për të protestuar kundër dhunës së ditëve të kaluara, që shkaktoi mëse 600 të vdekur e mijëra të plagosur. Edhe sot, policia ndërhyri për të shpërndarë manifestuesit, duke përdorur armët dhe gazin lotsjellës. Nuk dihet bilanci i saktë, shifrat janë të ndryshme e variojnë nga 12 në rreth 100 viktima. Pas zv.presidentit Mohamed El Baradei, nobelist i paqes, dha dorëheqjen edhe zëdhënësi i Frontit të Shpëtimit Kombëtar Egjiptian, Khaled Daud, duke kritikuar ndërhyrjen e ushtrisë kundër protestuesve islamikë, një pjesë e të cilëve ishte e armatosur edhe gjatë manifestimeve.
Në frontin ndërkombëtar, presidenti francez Hollandë dhe kancelarja gjermane Merkel përpiqen të zgjojnë Evropën nga dremitja, me të cilën po ndjek krizën egjiptiane. Në një komunikatë të përbashkët, ata kërkojnë fundin e dhunës dhe mbledhjen e menjëhershme të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian. Të hënën, në Bruksel, do të mblidhen përfaqësuesit e 28-shes, por në nivelin e ambasadorëve. Ndërkaq, kritikave të Turqisë, qeveria e përkohshme e Kajros u përgjigjet duke e akuzuar atë për ndërhyrje në punët e brendshme e duke anulluar manovrat e përbashkëta detare, që do të zhvilloheshin në tetor. Ekzekutivi egjiptian pati kritikuar sot në mëngjes edhe presidentin amerikan Barak Obama, i cili bëri thirrje dje për fundin e dhunës. Mbi Obamën rëndojnë gjithashtu, akuzat e republikanëve në SHBA-të, të cilët denoncojnë se administrata aktuale nuk i ka ndërprerë ndihmat ushtarake për Egjiptin, pas puçit ushtarak. Nuk respektojmë as vlerat tona, thonë republikanët, të cilët e akuzojnë Obamën se ndërsa ai dënon dhunën në Kajro, administrata e tij vazhdon të dërgojë miliarda dollarë (1,3 miliard në vit) për ta financuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.