2013-08-15 11:23:28

Masakër në Egjipt: mëse 500 të vdekur, sulmohen mëse 20 kisha. Ipeshkvi i Asiutit: nuk duam shtet islamik


Masakra e paralajmëruar në Egjipt ndodhi. Policia shpërndau dje me forcë manifestimet pro ish-presidentit Morsi, gjë, që shkaktoi ndeshje të përgjakshme në të gjithë vendin. Sipas autoriteteve, viktimat janë së paku 500 vetë e mijëra, të plagosurit, por partia e Vëllezërve Myslimanë deklaron se të vdekurit kanë arritur shifrën e frikshme prej 4.500 vetësh. Islamistët sulmuan mëse 20 kisha të krishtera. Në përpjekjen për të rimarrë në dorë situatën, qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës dhe ka vendosur shtetrrethimin nga ora 19.00 gjatë gjithë natës e deri në orën 6.00 të mëngjesit. Bashkësia ndërkombëtare s’bën tjetër, veçse vazhdon të dënojë publikisht ngjarjet, ndërsa integralistët e “Jamaa Islamiya” (Xhama Islamija), politikisht pranë ideve të Morsit, deklarojnë se nëse nuk ndalet dhuna, do të fillojë revolucioni në të gjithë vendin. Ndër të vdekurit, edhe katër gazetarë, një e re egjiptiane, gazetare e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe një kameraman i televizionit Skynews së bashku me dy kroniste. Në Aleksandri, fatkeqësisht, është sulmuar me armë biblioteka e famshme, e njohur që nga lashtësia.
Nga ana tjetër, edhe kundërshtarët e Morsit protestojnë për mënyrën e zhvillimit të ngjarjeve. Mohamed El Baradei dha dorëheqjen nga posti i zv.presidentit të përkohshëm, duke i shkruar presidentit aktual Mansur: “Ekzistonin opcione paqësore për zgjidhjen e krizës”. Irani e Katari mbrojnë manifestuesit e kërkojnë t’i jepet fund dhunës menjëherë, ndërsa kryeministri turk Erdoan u bën thirrje OKB-së dhe Lidhjes Arabe. SHBA-të janë kundër gjendjes së emergjencës dhe kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut. Ftuam në mikrofonin tonë ipeshkvin katolik të Asiutit, Uiliam Kirillos:
E prisnim reagimin e islamistëve kundër ndërhyrjes së policisë; po i largojnë nga vendet e manifestimeve. Reagimi i parë ishte t’u thoshin botës perëndimore e amerikane: “Vendi nuk mund të shkojë përpara pa ne!”. Pastaj, reagimi i dytë ishte kërkesa për ndërhyrjen e botës perëndimore. Por ne jemi të sigurtë se ky është fundi i islamistëve, sepse Egjipti nuk e pranon një shtet fetar, siç e donin islamistët. Egjipti nuk e do shtetin islamik, dëshiron ta ndajë fenë nga shteti.
Janë sulmuar edhe shumë kisha, në çdo anë të vendit…
Po ndjekim me vëmendje ç’po ndodh, sidomos në Minia e Sohag, ku i kanë vënë flakën katedrales ortodokse. Në Asiut, falë Zotit e pranisë së ndjeshme të ushtrisë e të policisë, nuk kemi pasur sulme kundër kishave: kanë hedhur ndonjë gur vetëm te katedralja ortodokse.
Sipas jush, cila do të jetë e ardhmja e Egjiptit, duke pasur parasysh çastet, që po kalon vendi?
Tani, presidenti i përkohshëm, qeveria e re dhe komiteti po përgatisin Kushtetutën. Pastaj, do të kemi zgjedhjet parlamentare e së fundi, ato presidenciale. Pas revolucionit të 25 janarit, shpresonim se hapi i parë do të ishte hartimi i Kushtetutës së re e pastaj, hapi i dytë, zgjedhjet. Fatkeqësisht, islamistët e kushtëzuan aq shumë juntën ushtarake, saqë u organizuan zgjedhjet para hartimit të Kushtetutës. Prandaj, u shkrua një Kushtetutë me natyrë fetare, që nuk përfaqëson egjiptianët. Popullsia u zhgënjye krejtësisht: presidenti pati bërë shumë premtime, por asnjë prej tyre nuk u realizua. Populli e kuptoi se presidenti po punonte për interesat e partisë së vet e jo për Egjiptin. Tani shpresojmë në një të ardhme më të mirë për këtë vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.