Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën Marisë në Romë
Pesëmbëdhjetëditëshi i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, në Bazilikën romake të Shën
Marisë në Rrugën Lata. Prej më se njëmijë vjetësh, të gjitha Kishat e Lindjes
e jetojnë me përshpirtëri të thellë solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
Nisi, kështu, në Kishat lindore, koha më e fortë mariane, përqendruar tek festa
e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, që njihet edhe si “Pashka e Nënës së Zotit”. Solemnitetit
i paraprin pesëmbëdhjetëditëshi i lutjes e i agjërimit, “Kreshmët e Virgjërës”. Pesëmbëdhjetëditëshi,
që kremtohet në mënyrë të veçantë në Bazilikën e mirënjohur romake të Shën Marisë
në Rrugën Lata, kremtohet çdo vit në fillim të gushtit e deri natën e festës, më 14
gusht. Pesëmbëdhjetëditshi i Zojës së ngjitur në qiell është realizim gati liturgjik
i asaj, që kremtohet në botën e Kishës së ritit bizantin, si katolik, ashtu edhe ortodoks,
sepse në Kishën bizantine ‘Fjetja” e Marisë konsiderohet si ‘Pashka e Nënës së Zotit’
e 14 ditët, që i paraprijnë, njihen me emrin “Kreshmët e Virgjërës”, në përkim me
Kreshmët e mëdha, që i paraprijnë Pashkëve të Krishtit. Janë ditë të rrepta agjërimi,
në të cilat besimtarët ngarendin me shumicë në Kishë për të kënduar ritin e lutjeve,
drejtuar Nënës së Zotit, të quajtur Paraclisis, përmes të cilit fitohet ndjesa e plotë.
E i lartojnë sytë lutës kah Nëna e Zotit, e lumnuar në qiell, për të fituar hirin
për vete, për familjet e tyre, për korpin e për shpirtin. Po riti i Paraclisis
i këtyre ditëve, është shumë më tepër se një lutje e thjeshtë, është përpjekje për
t’u takuar shpirtërisht me Nënën e Zotit, për t’u përgatitur për kremtimin e Pashkës
së lavdisë. Ky rit, tejet i lashtë, kremtohet me solemnitet të veçantë, posaçërisht
me dy tekste të mëdha: me Kanunet, domethënë me dy kompozime himnografike: Kanuni
i Vogël e Kanuni i Madh i lutjes drejtuar Nënës së Hyjit për t’i lypur hire e edhe
për t’u përgatitur për kremtimin solemn të festës së Të Ngjiturit të Zojës së Bekuar
në Qiell, për Fjetjen apo Përgjumjen e Virgjërës, Nënës sonë qiellore. Solemniteti
arrin kulmin me lutjet e Mbrëmësores ditën e 14 gushtit, në bazilikën papnore të Shën
Marisë së Madhe në Romë, me Oficen dhe Leximet biblike të Meshës të natës së festës.