Solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Të nxitojmë vetëm për të ndjekur Zotin.
Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, dielli që lindi përmbi errësirën
e historisë e na jep shpresën për të cilën kemi nevojë. E siç e dimë nga përvoja e
përditshme, e gjithë jeta është luftë ndërmjet dragoit e gruas, ndërmjet së mirës
e së keqes. Virgjëra Mari na siguron se Hyji fitoi, se vdekja u mund përgjithmonë.
Këtë thekson liturgjia e Fjalës së Zotit në Meshën, që kremtohet në solemnitetin e
‘Të Ngjiturit të së Lumes Mari në Qiell’. Ungjilli i kësaj së kremte, na propozon
‘Magnificat’ - Himnin e Madhërimit dhe nxitimin e Virgjërës Mari tek Elizabeta, duke
na shpjeguar se e gjithë jeta duhet të jetë një ky nxitim i shenjtë, me vetëdijen
se Zoti zë e duhet të zë gjithnjë vendin e parë në jetën e çdo njeriu e se asgjë tjetër
nuk duhet të na bëjë të nxitojmë në rrugët e jetës. Liturgjia e Fjalës së Zotit
e kësaj feste, përqendrohet kryesisht tek solemniteti i ‘Të Ngjiturit të Zojës në
Qiell’, që kurorëzon ciklin e kremtimeve të mëdha liturgjike, në të cilat kundrojmë
rolin e Virgjërës Mari në historinë e shëlbimit. Zënia pa mëkat, Lajmërimi, Amësia
Hyjnore e të Ngjiturit në Qiell janë etapat kryesore, të lidhura ngushtë ndërmjet
tyre, me të cilat Kisha larton e këndon fatin e lum të Nënës së Zotit. E në këtë fat
mund të lexojmë edhe historinë tonë personale e atë të mbarë njerëzimit. Misteri i
të Zënit pa mëkat të Marisë, të kujton faqen e parë të jetës njerëzore, duke na treguar
se, në planin hyjnor të krijimit, njeriu duhet të kishte pastërtinë e bukurinë e Zojës
së Papërlyer. Ky plan, i rrezikuar, por jo i rrënuar nga mëkati, përmes mishërimit
të Birit të Zotit, Jezu Krishtit u realizua plotësisht në Marinë, gjë që i krijoi
përsëri njeriut mundësinë për ta pranuar lirisht në fe. Së fundi, në të ngjiturit
e Marisë në qiell kundrojmë cakun ku duhet të arrijmë në mbarim të shtegtimit tonë
mbi tokë, duke ndjekur Krishtin e duke iu bindur fjalës së tij. Më tej faqja ungjillore
e festës nga Shën Luka, na përshkruan sesi Maria u nis me nxitim në krahinën malore,
për të vizituar Elizabetën. Me shtegtimin e saj plot bindje na tregon se duhet të
përshkojmë ngutshëm një udhë të re në jetën sonë, duke e lënë vetën plotësisht në
dorën e Zotit. Shën Ambrozin, duke komentuar nxitimin e Marisë, pohon: “Hiri i Shpirtit
Shenjt nuk pranon ngadalësi. Jeta e Zojës udhëhiqet nga një Tjetër, modelohet nga
Shpirti Shenjt, përshkohet nga ngjarje e takime, si ai me Elizabetën por, mbi të gjitha,
nga lidhja krejtësisht e posaçme me Birin e saj, Jezus. Është shtegtim në të cilin
Maria shikon në të gjitha ngjarjet e jetës planin e thellë e të mistershëm të Hyjit
Atë për shpëtimin e botës”: “Në sa e ndjek Jezusin nga Betlehemi në Egjipt, në
jetën e mënjanuar e në atë publike, deri tek këmbët e Kryqit, Maria jeton ngjitjen
e saj të vazhdueshme drejt Hyjit me frymën e Magnificat (himnin e Madhërimit), duke
u bashkuar plotësisht, edhe në çastin e vuajtjes, me planin e dashurisë së Zotit,
aq sa të bëhet paradigmë për fenë e Kishës”. Më tej, liturgjia e Fjalës së Zotit
e kësaj feste na kujton se jeta e çdo njeriu ka një cak të mirëpërcaktuar: Ngjitja
e Zojës në qiell na kujton se jeta e Marisë, ashtu si jeta e çdo të krishteri, është
shtegtim pas Krishtit, që ka një cak tejet të përcaktuar, një ardhmëri të qartë: fitoren
përfundimtare mbi mëkatin e mbi vdekjen dhe bashkimin e plotë me Hyjin. Por ndërsa
ne nuk jemi të bashkuar ende përsosurisht me Krishtin, Virgjëra Mari hyri plotësisht
në bashkim me Hyjin, me Birin e vet: “Jeta e njeriut mbi tokë- pohojnë leximet
biblike të kësaj feste – është shtegtim që vijon në frymën e tensionit të luftës ndërmjet
dragoit e gruas, ndërmjet së mirës e së keqes. Është si udhëtim në një det shpesh
herë tepër të trazuar: Maria është ylli, që na prin drejt Birit të saj Jezusit, diell
që lindi përmbi errësirën e historisë, për të na dhënë shpresën se do të fitojmë,
se nuk do t’i nënshtrohemi përgjithnjë së keqes e mëkatit, në pritje të qiellit të
ri e tokës së re”. Së fundi, me Shën Bernardin, këngëtarin mistik të Marisë, jemi
të ftuar si besimtarë t’i drejtohen Nënës së Zotit me fjalët: “Të lutemi, o e Lume,
për hirin që gjete, për privilegjet që meritove, për Mëshirën që linde! Na e nxirr
hirin që Ai, i cili nëpër ty u denjua të merrte pjesë në mjerimin e në gjymtimin tonë,
falë lutjes sate, të na bëjë pjesëmarrës në lumninë e tij të amshuar, Jezu Krishti,
Biri yt, Zoti ynë, i cili është mbi gjithçka, Hyj i bekuar në shekuj të shekujve.
Amen!