2013-08-14 14:29:04

Papa në Kastel Gandolfo për festën e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: Maria, më e përvuajtura ndërmjet krijesave, është në lumninë Hyjnore


Më 15 gusht, në Solemnitetin e Të ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell, Papa Françesku shkon nga Vatikani në Kastel Gandolfo. Do të niset në orën 9.00, me auto, nga Shtëpia e Shën Martës. Etapa e parë, vizita në manastirin e klauzurës të Klariseve. Në orën 10.30, Mesha në Sheshin e Lirisë, para Pallatit papnor, ndjekur nga lutja e Engjëllit të Tënzot. Pas drekës, Papa Françesku do të vizitojë, në mënyrë ngushtësisht private, famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, për t’u rikthyer, më pas, në Vatikan. Një ditë kushtuar plotësisht Marisë!E pikërisht Marisë ia besoi papninë e tij Papa Françesku, duke shkuar menjëherë pas zgjedhjes, më 14 mars, 5 muaj më parë, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe. Ishte dalja e parë e papës së ri nga Vatikani. “Zoti, shpjegon Papa Françesku, na lëshon në krahët plot dashuri e ëmbëlsi të Nënës, që ta ndjejmë se nuk jemi vetëm në rrugën tonë të vështirë njerëzore e kristiane. Feja e vërtetë fillon nga përvujtëria:
“Ajo, më e përvuajtura ndërmjet krijesave, për virtyt të Krishtit, arriti në cakun e mbramë të shtegtimit tokësor; është tashmë në lumninë e Trinisë. Prandaj Maria, Nëna jonë, Zoja e Bekuar, shkëlqen për ne si shenjë e sigurtë shprese. Është Nëna e shpresës; në ecjen tonë, në udhën tonë, ajo është Nëna e shpresës. Është edhe Nëna që na ngushëllon, Nëna e ngushëllimit e Nëna, që na shoqëron në sa jemi përudhë”.
Tri, janë fjalët që theskon Papa, për të përmbledhur gjithë jetën e Marisë: dëshmim, vendim, veprim! Mbi të gjitha, dëgjim! Zoti na troket në njëmijë mënyra në portë, e shpesh as që kujtohemi se dikush është tek porta e po troket:
Maria di ta dëgjojë Zotin. Kujdes: nuk është ‘dëgjim’ i thjeshtë, dëgjim i cekët, por dëgjim plot vëmendje, plot mikpritje, gatishmëri për ta pranuar Zotin. Nuk e pret çkujdesshëm, si na ndodh shpesh ne, përballë Zotit a të tjerëve; i dëgjojmë fjalët, por nga një vesh na hyjnë, nga tjetri na dalin. Maria është plot vëmendje, kur Zoti flet, Maria e dëgjon Zotin” (Përfundim i Muajit marian, 31 maj 2013).
Pas dëgjimit, Maria vendos. Thotë ‘po’, merr një vendim, që ia ndryshon plotësisht jetën:
Në jetë është vështirë të marrësh vendime, shpesh i shtyjmë, i lëmë të tjerët të vendosin në vendin tonë, na merr rrjedha e ngjarjeve, ndjekim modën e çastit. Nganjëherë e dimë mirëfilli ç’duhet të bëjmë, por nuk kemi guxim, ose na duket tepër e vështirë, sepse duhet shkuar kundër rrymës. Maria, në Lajmërimin e Engjëllit, në Vizitën Shën Elizabetës, në Dasmën e Kanës shkon gjithnjë kundër rrymës, ia vë veshin zërit që i flet, reflekton, përpiqet ta kuptojë realitetin, e vendos t’ia besojë gjithë vetveten Zotit”(Përfundim i Muajit marian, 31 maj 2013).
Maria nuk jeton me ngut; e mediton në zemër të vet, atë që nuk e kupton, por pasi dëgjon e vendos, vepron menjëherë “s’ka gjë në botë, që e ndalon”. Ndërsa ne, shpesh, ndalemi tek dëgjimi, pa kaluar në veprim:
“Në lutje, para Zotit që i flet, në reflektim e meditim mbi faktet e jetës së saj, Maria nuk nxiton, nuk rrëmbehet nga çasti, nuk tërhiqet nga ngjarjet. Por, kur e ka të qartë ç’kërkon Zoti prej saj, ç’duhet të bëjë, nuk ngurron, nuk vonohet, por niset me ‘nxitim’. Shën Ambrozi komenton: “Hiri i Shpirtit Shenjt nuk lejon ngadalësi” (Përfundim i Muajit marian, 31 maj 2013).
“Një Kishë pa gratë, është si kolegji apostolik pa Marinë. Roli i grave është ikonë e Virgjërës, e Zojës së Bekuar”, thekson Papa:
“E Zoja është më e rëndësishme se Apostujt ipeshkvij, ka më shumë rëndësi se ipeshkvijtë e se meshtarët. Kisha është femërore, sepse nuse e nënë. Duhet shkuar më përpara, nuk mund të kuptohet një Kishë, pa gra aktive në të. Në Kishë duhet menduar për gruan në këtë perspektivë. Nuk e kemi bërë ende teologjinë e gruas. Duhet bërë”(Konferenca e shtypit në avion, 28 korrik 2013).
E gjithë jeta e Marisë, përfundon Papa, është himn kushtuar jetës, himn i dashurisë e i jetës. E është Ajo, që me dorë të sigurt, na prin kah Biri i saj, Jezusi, Udha, e Vërteta, Jeta!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.