2013-08-14 10:58:26

Dogma e Të ngjiturit të Zojës në qiell!


“Ne shqiptojmë, deklarojmë e përcaktojmë se Nëna e Papërlyer e Zotit, Maria gjithmonë Virgjër, si kreu shtegtimin tokësor, u pranua në qiell me shpirt e me trup”.
Një shpërthim i jashtëzakonshëm gëzimi pason fjalët e Papës Piu XII. Ditën e 1 nëntorit 1950, turma ngarendi në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Vetëm ipeshkvijtë e ardhur për këtë ditë nga të katër anët e botës, janë shtatëqind e njëzet e dy. Është vërtetë një rast tejet i posaçëm, sepse sot Kisha shpall një dogmë të re, dogmën e Të ngjiturit të Zojës në qiell me trup e me shpirt. Që sot e tutje do të jetë një e vërtetë e pranuar e nuk mund të vihet më në diskutim: Maria u ngjit në qiell me trup e me shpirt. Në të vërtetë të krishterët e mbarë botës besojnë prej kohe në këtë mrekulli. Për ta Maria, që e mbajti në kraharor Jezusin, që e ushqeu, që e shtrëngoi ndër krahë, nuk mund të ndahej nga i Biri. Për besimtarët është logjike, është normale. Jeta e saj, e filluar në mënyrë të jashtëzakonshme, me lindjen pa mëkat, duhej edhe të përfundonte në mënyrë të jashtëzakonshme.
Papa Piu XII e di mirë se të krishterët besojnë ngultas në Të ngjiturit e Marisë në qiell. E di edhe se shenjtorët më të mëdhenj, prej shekujsh, shkruajnë për këtë ngjitje të mrekullueshme. Po kjo nuk mjafton për të shpallur një dogmë. Është fjala për një akt tepër të rëndësishëm, që nuk mund të vendoset lehtë, sepse sapo të shpallet dogma, bëhet e vërtetë absolute për të gjithë të krishterët, pjesë përbërëse e fesë së tyre e nuk mund ta vënë më në dyshim. Prandaj Papa, para se të vendosë, u drejton një letër të gjithë ipeshkvijve të botës, duke kërkuar edhe mendimin e tyre. Rezultatet flasin vetë: 94% e ipeshkvijve të mbarë botës i përgjigjen menjëherë kërkesës së Papës e, ndërmjet tyre, njëmijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë e miratojnë dogmën; gjashtëmbëdhjetë e pranojnë Të ngjiturit e Zojës në qiell, por janë të pasigurt në se duhet bërë dogmë; gjashtë mendojnë se ndoshta nuk është e nevojshme që Të ngjiturit e Zojës së Bekuar në qiell të bëhet e vërtetë e zbuluar. Piu XII mori përgjigjen që priste dhe e shpalli dogmën e të Ngjiturit të Zojës në qiell me shpirt e me trup.







All the contents on this site are copyrighted ©.