2013-08-12 16:39:13

Rregulltarët në Shqipëri e ungjillëzimi i ri


Me më shumë se 120 rregulltarë e rregulltare, kanë marrë pjesë me 14 e 15 qershor 2013 në Asamblenë Kombëtare vjetore që KSHEL (Konferenca Shqiptare e Eprorëve të Lartë) organizon për rregulltarët në Shqipëri në fund të çdo viti baritor. Takimi u zhvillua në një hotel në Shëngjin, afër qytetit të Lezhës, me praninë e Nuncit Apostolik në Tiranë dhe të disa Ipeshkvijve katolikë shqiptarë.
Tema, e sugjeruar nga Viti i Fesë, ka qenë ‘Ungjillëzimi i Ri dhe Jeta e Kushtuar në Shqipëri’. Reflektimet u hapen me një ndërhyrje interesante të motër Michaela Kubickova FMA e cila foli mbi Fjalën e Zotit dhe nxitjet e Papa Françeskut, “gjuhën” e dashurisë, të përvujtërisë e të besueshmërisë, gjithashtu edhe fuqinë e gëzimin që vjen frymëzimi i Shpirtit Shenjt, për të vërtetën dhe efikasitetin e ungjillëzimit sot. Më pas, imzot. George Frendo, OP, ipeshkëv ndihmës i Tiranë-Durrësit, ofroi një lexim kritik të pyetësorit drejtuar rregulltarëve në muajt e kaluar mbi situatën dhe angazhimin përsa i përket ungjillëzimit të ri, që ata shprehin prej më se njëzet vitesh nëpër dioqezat katolike të Shqipërisë.
Bëhet fjalë sigurisht për një bilanc pozitiv, por ndihet prej të gjithëve vetëdija se hapat për t’u bërë për një shpallje efikase të Ungjillit janë akoma shumë.
Realiteti shoqërorë e fetarë i Vendit, ku takohen situata të ungjillëzimit të parë e të baritores së rregullt, duhet të thellohet vazhdimisht për të gjetur rrugët që çojnë në dëshminë e pranisë dhe të solidaritetit në shpalljen e Jezusit haptas, fëmijëve, të rinjve, të rriturve.
Tregimi i disa dëshmive ungjillëzimi të jugut e të veriut të Shqipërisë, ballafaqimi mes pjesëmarrësve në grupe studimi kanë ofruar rastin e volitshëm për të paraqitur probleme e urgjenca, për të vënë në dukje përparësitë, për të formuluar propozime dhe për të theksuar përvojën pozitive të bashkimit mes forcave të ndryshme të Kishës katolike në Shqipëri për një ungjillëzim “të ri”. Rregulltarët në Shqipëri ndihen në sintoni të plotë me atë që porosit Papa Françesku: “shkoni e takoni njerëzit në periferi të botës, aty ku ka më shumë nevojë për edukim, për kulturë, për një propozim të vlerave etike që e çojnë njeriun të çmojë dinjitetin dhe bukurinë e të qenurit Bij të Hyjit”.
Kisha katolike në Shqipëri, ku sot punojnë më shumë se 100 institute rregulltarësh, të përhapura në të gjithë territorin me më shumë se 150 bashkësi (rreth 550 rregulltarë e rregulltare), është shumë e angazhuar për të jetuar dhe për të shprehur misionin ungjillëzues për të kërkuar dhe për të qenë sot, sipas motos së Asamblesë: “Ju jeni kripa e tokës...Ju jeni drita e botës”(Mt 5,13-16).
nga Fjala e Paqes, qershor-korrik 2013
Atë Giacomo Gianolio (etërit Somaschi – Rrëshen)
Atë Giorgio Nalin (etërit Rogazionist – Lezhë)







All the contents on this site are copyrighted ©.