Jeta garanton të ardhmen: mesazhi i Papës për Javën e Familjes në Brazil
Jeta e njeriut duhet mbrojtur gjithmonë, që nga zënia: edhe një herë, Papa Françesku
i kthehet një teme shumë të rëndësishme për Kishën Katolike. E bën këtë në mesazhin
për Javën e Familjes, që u hap dje në Brazil. Pavarësisht se ajo ka karakter kombëtar,
tema - “Transmetimi dhe edukimi i fesë së krishterë në familje” - ka frymëmarrje të
gjerë dhe prek jetën e gjithë katolikëve. Duke kujtuar ditët e bukura kaluar me
rininë e mbarë botës në Rio-de-Zhanejro, Papa Françesku u drejtohet prindërve, të
cilët – nënvizon Ati i Shenjtë – kanë misionin fisnik për të qenë bashkëpunëtorët
e parë të Zotit në orientimin e jetës dhe të së ardhmes të fëmijëve. Ata, këshillon
Papa, duhet të synojnë në praktikimin e përbashkët të fesë në familje. Vetëm kështu
mund t’i shoqërojnë vërtet fëmijët drejt pjekurisë fetare. “Prindërit – thuhet në
mesazh – duhet të tansmetojnë me fjalë, por sidomos me vepra, të vërtetat themelore
për jetën e dashurinë njerëzore, të cilat marrin dritë të re nga Zbulesa Hyjnore”. “Veçanërisht,
para kulturës, që e bën relative jetën e njeriut – vazhdon Papa – prindërit duhet
t’u transmetojnë fëmijëve vetëdijen se ajo duhet mbrojtur, që nga kraharori i nënës,
duke kuptuar se është dhuratë e Zotit e garanci për të ardhmen e njerëzimit”. Por,
thekson Ati i Shenjtë, është i rëndësishëm edhe kujdesi për të moshuarit, sidomos
për gjyshërit, që janë kujtesa e gjallë e një populli e që transmetojnë urtinë e jetës.
Së fundi, duke iu lutur Zojës së Aparesidës, Papa Françesku uron që familjet të jenë
dëshmitare më bindëse të bukurisë së dashurisë bashkëshortore, mbështetur e ushqyer
nga feja.