Italia-Argjentina: Papa Françesku, futbolli një dhuratë e Hyjit
“Ju kërkoj ta jetoni e përjetoni sportin si një dhuratë të Zotit, një mundësi për
të bërë të lulëzojnë e të japin fryte talentet që keni, por edhe si një përgjegjësi”.
Kështu u tha mes tjerash Papa Françesku gjatë audiencës së sotme në Vatikan me skuadrat
kombëtare futbollit të Argjentinës e Italisë. “Kërkoj prej Zotit të ju bekojë,
por ju kërkoj që edhe ju t’i luteni Hyjit për mua, që edhe unë, në fushën ku Zoti
më ka vendosur, të mund ta luaj lojën e ndershme e të guximshme për të mirën e ne
të gjithëve”. Gjatë lojës miqësore të futbollit ndërmjet Argjentinës e Italisë
“për mua do të jetë e vështirë të bëjë tifozin, por për fat të mirë është fjala për
një miqësore e uroj të jetë vërtetë e tillë. Ju rekomandoj”. E nga ndeshja
miqësore Itali-Argjentinë, që do të luhet të mërkurën mbrëma, për nder të Papës Françesku,
ka edhe qëllime bamirëse e solidare në favor të breznive të reja. Do të krijojë kushtet
për pagëzimin e një nisme të re. Është fjala për lindjen e një rrjeti edukativ ndërkombëtar
ndërmjet shkollave të çdo rendi e grade, në favor të ndërtimit të shoqërisë së përfshirjes,
të pranimit, që i kundërvihet asaj të përjashtimit. Miqtë e Papës Françesku, me miratimin
e tij, shpjegon një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, shprehën dëshirën që ndeshja
miqësore Itali-Argjentinë, e luajtur për nder të Atit të Shenjtë, të shfrytëzohej
si rast i përshtatshëm për ta përuruar këtë nismë solidariteti ndërmjet breznive,
në favor të lindjes së një vëllazërie të re shkollore. Ideja e rrjetit shkollor ndërkombëtar,
në ndihmë të njerëzve më nevojtarë, synon t’u sigurojë atyre gjërat më të nevojshme
për realizimin e projektit jetik, në përkim me kulturën, bindjet, vlerat universale
ndërkulturore e respektimin e ambientit. Nisma u paraqit sot në Vatikan, në Shtëpizën
Piu IV, menjëherë pas audiencës së Papës Françseku me lojtarët e kombëtares argjentinase
e italiane, që nesër mbrëma pastaj, do të jenë protagonistë të ndeshjes miqësore në
Stadiumin Olimpik. Në konferencën e shtypit, folën përfaqësuesit më të njohur nga
të dyja skuadrat, ndërmjet të cilëve, trajneri i skuadrës së kaltërt, Çesare Prandeli:
ai i skuadrës argjentinase, Alejandro Sabella dhe kampionë si Lionel Mesi, Xhanluigji
Bufon e përfaqësues të tjerë. Rrjeti i ri shkollor ndërkombëtar oganizohet nga
Akademia Papnore e Shkencave, mbi bazën e rezultateve të para, arritur nga “Escuela
de Vecinos” e nga “Escuelas Hermanas”, nisma të promovuara nga Papa Françesku, kur
ishte kryeipeshkëv i Buenos Ájres. Vlerat, nga të cilat frymëzohet, përveç atyre të
gjithëpërfshirjes, janë edhe vlera e integrimit, e bashkëpunimit, e vetëdijes qytetare
e politike, e pjesëmarrjes aktive në veprimtari, në favor të së mirës së përbashkët,
e solidaritetit, e respektit për ambientin, zhvillimin e qëndrueshëm, drejtësinë e
paqen. Të gjitha shkollat, që dëshirojnë të marrin pjesë në rrjetin, kordinimi
i të cilit iu besua pedagogëve Josè Maria del Corral dhe Enrikue Palmeiro, me ndihmën
e Akademisë Papnore të Shkencave, mund ta bëjnë këtë falas, përmes kanalit të ri ,
i cili mund të shfrytëzohet edhe për të realizuar projekte, të bazuara mbi idealet,
që janë në bazë të nismës.