2013-08-12 16:26:39

Instituti katolik filozofik-teologjik i Shkodrës takon Akademinë ortodokse të Durrësit


Me 23 Maj 2013, në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar në Shkodër është zhvilluar takimi vjetor mes Institutit Filozofik-Teologjik të Seminarit katolik “Zoja Këshillit të Mirë” e Akademisë Ortodokse të Durrësit. Tashmë është bërë traditë që prej shumë viteve zhvillohen takime të tilla mes shkollave Teologjike të Shkodrës dhe asaj të Durrësit. Qëllimi i këtyre takimeve është shkëmbimi reciprok jo vetëm i njohurive Teologjike, por edhe i ecjes ekumenike mes dy Kishave, asaj Katolike dhe Ortodokse. Këtë vit me iniciativën e Hirësisë së Tij Atë Nikolla, drejtor i Akademisë së Durrësit dhe P. Mario Imperatori, drejtor i Institutit Filozofik-Teologjik në Shkodër, është mbajtur takimi me temë “Kontributi i katolikëve për pavarësinë e Shqipërisë”, i udhëhequr nga prof. Gjovalin Çuni dhe studentët e Institutit, seminaristi Mark Pashkja dhe fra Anton Kodrari.
Gjatë ligjëratës theksuan se rrugëtimi i historisë së vendit tonë drejt shpalljes së pavarësisë është si rrjedhojë e një kontributi të gjatë të klerit katolik dioqezan si dhe e bashkësive rregulltare të Françeskanëve dhe Jezuitëve, që dhanë jetën për Fe dhe Atdhe. Këta klerikë të kohës kanë dhënë kontribut të veçantë edhe në fushën e zhvillimit të arsimimit, kulturës, dijes për të pasuruar popullin tonë me shkrime dhe botime të librave në gjuhën shqipe. Po ashtu ata u angazhuan edhe në organizimin e kryengritjeve për çlirimin e trojeve shqiptare.
Gjatë konferencës, ishte një moment i veçantë, ishte edhe ekspozimi i librave dhe periodikëve të botuar nga ana e klerit katolik para dhe sidomos pas komunizmit. Ky takim pasoi me një drekë vëllazërore.
Pas drekës ishte vizita në kompleksin “Ndre Mjeda” në Kukël, që është një monument i kulturës me vlerë mbarëkombëtare. Profesori dhe njëkohësisht famullitari i vendit dom Nikë Ukgjini mirëpriti dhe shpjegoi rreth historisë së poetit, gjuhëtarit, historianit dhe muzikologut Dom Ndre Mjeda, i cili gjatë shërbimit të tij 30-vjeçar në atë vend ka ndërtuar Kishën dhe shtëpinë, që tani është duke u shndërruar në një shtëpi muzeale.
Menjëherë pas kësaj ishte përshëndetja duke shpresuar që ky takim, si dhe takimet që janë zhvilluar vazhdimisht, të vlejnë për të kuptuar më mirë vlerën dhe domosdoshmërinë e bashkimit tonë në një Trup të vetëm të Krishtit Jezus.
nga Fjala e Paqes, qershor-korrik 2013
Daniell Markprekaj







All the contents on this site are copyrighted ©.