2013-08-12 19:02:18

Imzot Di Tora: Papa u kërkon barinjve të mendojnë më parë për popullin e Zotit, pastaj për të tjerat


Një nga fjalimet më të rëndësishme, që mbajti Papa Françesku gjatë DBR-së së Rio-de-Zhanéjros ishte, sigurisht, fjala drejtuar ipeshkvijve të Celam. Me barinjtë latinoamerikanë Papa preku problemet më aktuale, që shqetësojnë të gjithë ipeshkvijtë e Kishës. Ftuam, në mikrofonin tonë, ipeshkvin-ndihmës të Romës, imzot Guerino Di Tora, të na flasë për disa nga pyetjet themelore, që bëri Papa, lidhur me misionin e ipeshkvit në botën e sotme:

Përgjigje: - Para së gjithash, më duket shumë i bukur fakti që Papa nuk u flet vetëm ipeshkvijve të tjerë, por, sidomos, i flet vetes. Kur thotë “Unë jam bari si ju e me ju” domethënë se dëshiron të ndjehet thellësisht pranë, në përkim të plotë me barinjtë e tjerë. E problemi i parë, që përballon, sipas meje, është pikërisht ai i një situate, e cila ka të bëjë me përkimin ndërmjet aspektit administrativ e atij baritor. Unë kam qenë, për një kohë të gjatë famullitar, në një famulli të madhe të Romës e, prej këndej, e njoh thellë këtë shqetësim... shqetësimin për t’i bërë mirë llogaritë, për t’u kujdesur që asnjë punë të mos përfundojë keq... Duhet ta kemi shumë të qartë se ky fjalim mbi strukturën e famullisë, të dioqezës, është në funksion të punës baritore. Pika e parë duhet të jetë pikërisht ky shqetësim, ky ankth për baritorinë. Prej këndej, duhet të mësohemi t’i shikojmë edhe këto shqetësime administrative, me syrin e fesë, të sigurisë se po punojmë për përparimin e veprës së Zotit e se, prej këndej, Zoti nuk do të na lëshojë dore; Provania, që ua predikojmë të tjerëve, do të na ndihmojë edhe ne, në këtë drejtim.

Pyetje: - Papa pyet: “Në radhë të parë, kush përfiton nga puna kishtare: Kisha, si organizatë, apo Populli i Zotit, në tërësinë e tij?

Përgjigje: - E drejtë: duhet kujtuar gjithnjë, sepse rreziku, që të josh vetëm të komandosh e të pasurohesh, është gjithnjë në pritë. Duhet ta kemi mirë parasysh se epërsinë nuk duhet ta ketë struktura, por Populli i Zotit, bashkësia dhe impenjimi për problemet e përgjithshme. Shpesh mendohet për zbukurimin e Kishave. E disa herë edhe ne, për fat të keq, shikojmë se famullitarët e rinj, kur shkelin në kishën e tyre, gjëja e parë që thonë, është: ‘Duhet bërë një elter i ri’, pa menduar, së pari, për detyrat baritore, pa u shqetësuar fillimisht si mund të arrihet tek njerëzit, si mund të njihen nga afër njerëzit, që kanë nevoja ekonomiko-shoqërore, pa u shqetësuar një herë për situatat strukturale të lagjes, të kësaj pjese të Kishës, që është famullia.

Pyetje: - Papa bën, më pas, një pyetje të dyfishtë: a e kapërcejmë tundimin për t’i kushtuar vëmendje në mënyrë reaktive problemeve të ndërlikuara, që lindin e, prej këndej, a krijojmë zakonin për ta ndjekur hap pas hapi veprimtarinë, në përkim me ndryshimet e vrullshme?

Përgjigje: - Për fat të keq, mendoj se secili nga ne, me kalimin e kohës e humbet nga pak energjinë e parë. Krijojmë një realitet të caktuar e mendojmë se do të shkojë gjithnjë përpara. Shumë herë nuk jemi në gjendje të shikojmë se bota e sotme ndryshon me shpjetësi të rrufeshme, e jo vetëm në këndvështrimin ekonomik, në thellimin e globalizimit, por edhe në aspektin kulturor, gjë që ndikon fuqimisht edhe një kontekstin fetar. Duhet të jemi gjithnjë të vëmendshëm në këtë drejtim, si rojet, që vëzhgojnë ditë-natë, e pikërisht, siç thotë Papa, të jemi në mes të njerëzve, në mes të grigjës, për të kuptuar ku po shkon, çfarë po bën e për ku është më mirë t’i prish. Ka shumë mundësi që ideja e famullive të mëdha, krijon ndjesinë e masës... Por Papa nuk ngulmon tek puna me masën. Papa kërkon të punojmë me njeriun, me çdo njeri. Sot duhet të themi: “Të shkojmë drejt njerëzve!”. E duhet të kemi këtë lëvizje: drejt njerëzve, jo në pritje që njerëzit të vijnë drejt nesh”.







All the contents on this site are copyrighted ©.