2013-08-12 19:02:05

Atë Fares për Papën Françesku: është kohë ngushëllimi për të gjithë


Koha e ardhjes së Françeskut, është kohë ngushëllimi masiv. Nuk ka të bëjë vetëm me Kishën, por me mbarë botën. E pohon këtë, atë Diego Javier Fares, profesor i teologjisë në Universitetin Katolik të Argjentinës, e, sidomos, apostull i njerëzve më të braktisur të qytetit, i fëmijëve të rrugës. Për ta ka krijuar edhe një bashkësi, të cilën kardinali Bergolio e vizitonte dhe e ndihmonte vazhdimisht. E jo vetëm kaq. Papa i këshilloi gazetarët, që e shoqëronin në shtegtimin drejt Rios, t’i lexojnë librat e përshpirtshëm të profesorit Fares.
“Ngushëllimi, shpjegon teologu, të cilin “L’Osservatore Romano” e quan ‘mik e bir shpirtëror i Papës Françesku, është hir e Ati i Shenjtë ua transmeton të gjithë atyre, që duan ta fitojnë”. Sipas atë Fares, jetojmë në atë atmosferë, që Shën Injaci e quan e ngushëllimit, e lulëzimit të shpresës, fesë, dashurisë, gëzimit shpirtëror. Kjo epokë të kujton Ungjillin, të çon te Lajmi i Gëzueshëm e tek të gjitha gjërat, që i bëjnë mirë shpirtit, duke e paqësuar në Krijuesin e Zotin e tij.
Shpresojmë se si Kishë, do të dimë ta marrim këtë paqe, që Papa ia përçon botës, uron jezuiti, Atë Fares, që i rrëfen së përditshmes spanjolle La Razon, lidhjet e tij me Papën, në një intervistë, botuar edhe nga “L’Osservatore Romano”. “Me Horhen kemi folur vazhdimisht, duke shkëmbyer mendime të thella për lutjen për jetën shpirtërore e për problemet, që lidhen me punën baritore. E ai ishte e mbetet gjithnjë ati im shpirtëror. Tani më thërret kur mundet. Na thërret ne, ashtu si i thërret të gjithë. Komunikojmë vazhdimisht edhe tani, si atëhere, kur ishte në Buenos Ájres, e ndoshta edhe më shumë, sepse, siç ju thashë ndonjë ditë më parë, tani na i dërgon përshëndetjet nga të gjitha qoshkat e gazetave e na flet përmes të gjitha mjeteve të komunikimit. Jemi miq prej 28 vjetësh, përfundon atë Fares. Më pranoi, si provincial që ishte, në Shoqërinë e Jezusit e më formoi gjatë viteve të studimit në Kolegjin e Madh të Buenos Ájres. E pata pranë gjithnjë e gjithnjë shkëmbyem mendime për çështjet më serioze të fesë e të jetës. E tani më duken edhe më të bukura, ato biseda. Më nxisin ta përkufizoj vetë miqësinë, që do të thotë ‘ta ndjesh se e ke dikë, me të cilin mund të dialogosh gjithnjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.