2013-08-12 14:36:14

Aodi: edhe myslimanëve u duhet një prijës, si Papa Françesku


“Edhe në botën arabe, do të duhej një personalitet, si Papa Françesku, prijës, që di të bashkojë e të risjellë paqe e prehje”. Shprehet kështu, në agjencinë Adnkronos, Fuad Aodi, kryetar i “Shoqatës së mjekëve të huaj në Itali”(Amsi) dhe i Bashkësisë së botës arabe në Itali (Comai), duke komentuar fjalët e Papës, i cili dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, u bëri thirrje të krishterëve e myslimanëve ta respektojnë njëri-tjetrin.
Duke folur në telefon nga fshati i tij i lindjes, pranë Tel Avivit, ku ndodhet për festën e përfundimit të Ramazanit, palestinezi Aodi tregon se në këto ditë pushimi, shumë të afërm e miq e pyetën për Papën Françesku, që po vlerësohet gjithnjë më shumë në këto ana. Bota arabe kalon fazën më të vështirë të historisë së saj, pohon kryetari i Comai. Shpresojmë se do të gjindet një personalitet arab me vlerë e me profil të lartë, i cili do të mund të bëjë në botën arabe, atë, që po bën Papa Françesku në Perëndim, që do të dijë ta bashkojë e ta bëjë të arsyetojë botën arabe, në mënyrë që të rigjejë paqen e identitetin, shton Aodi.
Kur Benedikti XVI dha dorëheqjen, shpresoja se do të ulej në fronin e Shën Pjetrit një papë arab, vijon kryetari i Comai, por tani shikoj se Papa Françesku po i jep përgjigjet, që i prisnim prej vitesh. Përgjigje, të cilat prekin drejtpërdrejt zemrat. Kthesa e madhe u pa që në fillim. Çdo ditë shikojmë thjeshtësinë e tij, dashurinë e madhe për njeriun e njerëzimin e edhe gatishmërinë e Papës Françesku për dialog me të gjitha fetë e, sidomos, me botën myslimane, që e priste prej vitesh një kthesë kaq të madhe. Aodi i shpreh mirënjohjen e tij Papës Françesku për mesazhet drejtuar botës myslimane, duke kujtuar, me emocion, edhe vizitën në Lampeduzë.







All the contents on this site are copyrighted ©.