Alarm në Egjipt për diskriminimin e të krishterëve, me mijëra ikin nga vendi
Nga një çast në tjetrin, në Egjipt, mund të fillojë operacioni i shpërndarjes së militantëve
të Partisë “Vëllezërit Myslimanë”, të cilët prej ditësh manifestojnë për të shprehur
përkrahjen ndaj ish-presidentit Morsi. Tensioni është tepër i lartë e mund të ketë
ndeshje të përgjakshme në sheshe. Ndërkaq, të krishterët, që përbëjnë 10% të popullsisë,
largohen nga vendi, të frikësuar nga diskriminimet e shumta, siç nënvizon në mikrofonin
tonë zëdhënësja e organizatës kishtare “Ndihmë për Kishën që vuan”, Marta Petrozilo: Bashkësia
e krishterë në Egjiptin e sotëm, është seriozisht e shqetësuar, pasi frika se do të
përdorej si “kurban” për të shuar nervozizmin dhe dëshirën e “Vëllezërve Myslimanë”
për hakmarrje, po bëhet reale. Mbi një kishë, u ngrit flamuri i Al Kaedës, ndërsa
besimtarët luteshin brenda; u vra një meshtar në Sinai e vetëm pak muaj më parë, dy
fëmijë u akuzuan për blasfemi, për të cilën nuk ishte folur kurrë para ardhjes në
pushtet të “Vëllezërve Myslimanë”. Edhe Kushtetuta e re i dha një goditje të fortë
bashkësisë së krishterë: Kishat kristiane tërhoqën përfaqësuesit nga Asambleja Kushtetuese,
sepse teksti u hapte rrugën diskriminimeve. Përkrahësit e kësaj partie i akuzojnë
të krishterët se kontribuan në rrëzimin e qeverisë së presidentit Morsi. Cili është
qëndrimi i Kishës Katolike? Kisha nuk i ka ndaluar të krishterët të marrin
pjesë në manifestimet kundër Morsit. Secili është i lirë të dalë ose jo në shesh.
Sigurisht, bashkësia e krishterë ka pasur dyshime që në fillim: vitin e kaluar, në
qershor, kur u zhvillua ballotazhi ndërmjet Morsit dhe gjeneralit Shafik, pjesa më
e madhe e të krishterëve votuan për Shafikun… Megjithëse kontrolli i ushtrisë mund
ta kufizojë disi lirinë, një parti ekstremiste mund të sjellë kufizime më të mëdha
për lirinë fetare. Faktikisht, të krishterët konsiderohen “bashkësi e dorës së dytë”. Jo
pak, por 16 organizata egjiptiane për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar autoritetet
se nuk e mbrojnë sa duhet këtë bashkësi, si përsa i përket sigurisë fizike, ashtu
edhe përsa i përket shprehjes së lirë të fesë… Fatkeqësisht, është e vërtetë.
Sigurisht, me një gjendje kaotike, si ajo e Egjiptit të sotëm, është e vështirë të
garantohet siguria e të krishterëve, të cilët, duke qenë pakicë, janë edhe më të pambrojtur.
Por kjo nuk është gjendje, që del në pah tani. Prej shumë vitesh, koptët largohen
nga Egjipti. Vështirë të bëhen llogari të sakta, por flitet për 100 mijë të krishterë,
që e kanë braktisur vendin nga frika.