2013-08-10 11:51:40

Me 10 gusht Kisha kremton Shën Lorencin, diakon e martir


Duk shfletuar kalendarin e 10 gushtit, Kisha kremton Shën Lorencin, diakon e martir.
Lorenci qe diakoni i parë i Kishës së Romës, dhe kishte për detyrë , ashtu sikur Shtjefni, të ndihmonte e t’u shpërndante të varfërve ndihmat që mblidhnin të krishterët e qytetit, sipas porosisë së Ungjillit.
Për jetën e Lorencit dihet shumë pak, ndërsa njihet fare mirë vdekja e tij. Në vitin 258, perandori Valeriani nisi persekutimin kundër të krishterëve. Në gusht të vitit 258 martirizohet me prerje të kokës vetë Papa Siksti II.Tregohet se Lorenci e pati takuar nderisa po shkonte në martizim. Me këtë rast Prefekti i perandorisë e ndali Lorencin, të cilit i kërkoi t’i dorëzonte “thesaret e Kishës”. E Lorenci, pasi u shpërndau të varfërve lëmoshat e Kishës, e paraqiti para prefektit turmën e të sëmurëve e të skamnorëve dhe brohoriti: “Ja, këto janë thesaret e Kishës. Nuk pakësohen kurrë e gjithmonë japin fryte të reja dhe mund t’i gjesh kudo”.
Sipas traditës, të një “Passio” (Akti të martirizimit) të lashtë gjetur nga Shën Ambrozi, Lorenci është djegur përsëgjalli përmbi një skarë e thëngjijë të ndezur. Po sipas gjasës, në ditët e para të gushtit të vitit 258 për shkak të fesë së tij në Krishtin Zot, në kohën e perandorit Valerianit, iu pre koka, sikur papës Sisktit II, në rrugën romake Tiburtina, ku më vonë Kostantini do ti ndërtojë një bazilikë madhështore, e cila është restauruar pas bombardimeve amerikane mbi Romën gjatë luftës së II botërore. Ishte 19 korriku i vitit 1943.
Shën Leoni i Madh, papë, në një homeli, duke treguar dhe përshkruar martirizimin e Shën Lorencit mbi skarë, tregon:” Derisa e piqnin, ai gjente forcë të bënte shaka me njeriun që e rrotullonte mbi zjarr, për ta torturuar sa më egërsisht- I thoshte: “A nuk e shikon se nga kjo anë tashmë jam pjekur si s’ka më mirë? Rrotullomë pra, nga ana tjetër…….”.
Shën Lorenci është pajtori qiellor i të varfërve, e pasi si diakon i ruante librat e shenjtë, është edhe pajtor i bibliotekarëve, i bibliofilëve e librashitësve.
Shkurt themi se, shën Lorenci qe diakon i Kishës së Romës e pësoi martirizimin në përndjekjen e Valerianit, katër ditë pas martirizimit të Papës Sikstit II e të katër diakonëve romakë bashkëpunëtorë të tij. Varri i tij gjendet pranë rrugës Tiburtina në Kampo Verano në Romë, ku Konstandini i madh urdhëroi të ndërtohej bazilika homonime. Kulti i tij ka qenë i përhapur në Kishë që në shekullin IV.
FTESA
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve,
Krishtin Zot.
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! (Ant.)
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti - ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. (Ant.)
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. (Ant.)
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. (Ant.)
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” (Ant.)
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)

SHËRBESA E LEXIMEVE
Himni
Mbret plot lavdi i martirëve,
kurora e dëshmitarëve,
nga që s’i pranuan tokësorët
i çove ndër qiellorët.
Fill veshin tënd mirëdashës
zërave tona drejtoja;
këndojmë trofetë e shenjta,
mos na i shiko gabimet.
Ti ngadhënjen ndër martirët,
duke kursyer dëshmuesit,
hidhi poshtë fajet tona,
duke dhuruar ndjesën.
Na ruaj, Atë mëshirëplotë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllues,
që në amshim mbretëroni. Amen
Ant. 1 Besnikë ndaj emrit të Krishtit
deri në derdhje të gjakut,
martirët kanë pasur një shpërblim të amshuar.

Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 Besnikë ndaj emrit të Krishtit
deri në derdhje të gjakut,
martirët kanë pasur një shpërblim të amshuar.
Ant. 2 Të drejtët jetojnë në amshim;
Zoti është shpërblimi i tyre.

Psalmi 33 /32/ I (1-11)
Galdoni, o të drejtë në Zotin, *
të drejtëve u ka hije lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë, *
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
Këndoni atij një këngë të re, *
përcilleni bukur me citër brohoritjen!
Sepse e drejtë është fjala e Zotit *
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin, *
plot është toka me mirësinë e Zotit.
Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt, *
prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor;
si në rrëshiq i mbledh ujërat e detit, *
oqeanet i qet në ujëmbledhës.
Le të dridhet mbarë Toka para Zotit, *
të gjithë banorët e rruzullit le të druajnë para tij!
Sepse ai foli - gjithçka u bë, *
ai urdhëroi - gjithçka u përftua!
Zoti i shpartallon synimet e popujve, *
i pështjellon qëllimet e kombeve.
Synimi i Zotit qëndron për amshim, *
mendimet e zemrës së tij prej breznie në brezni.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 Të drejtët jetojnë në amshim;
Zoti është shpërblimi i tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.