2013-08-10 14:00:30

Imzot Gjergji uron Myftiut Tërnava festën e Ramazanit. T’u prijmë besimtarëve me shembull jete e harmoni ndërfetare


Prot. Nr. 136/2013 Prizren, 7 gusta 2013

Bashkësia Islame e Kosovës
Myftiu Naim Tërnava
Kryetar
10000 Prishtinë / Kosovë

Fort i nderuar z. Tërnava,
Mësimi i Zotit tonë Jezu Krisht për lutjen, për agjërimin e për ndarjen e lëmoshës për nevojtarë, na shtynë, ne të krishterëve, të kemi nderim të veçantë për të gjithë ata që me mjete të përshpirtërisë e kërkojnë Zotin.
Agjërimi Juaj, për muajin e shenjtë të Ramazanit, sigurisht është përcjellë me ndjenjën e përvujtërisë, sakrificës dhe mëshirës. Këndej, lus Zotin, që ta pranojë këtë sakrificë tuajën dhe të besimtarëve Islamë, në mënyrë që të rritët fisnikëria shpirtërore e agjëruesve, për të rrezatuar më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe harmoni mes nesh e besimtarëve tanë, që ju prijmë drejt takimit me Hyjin.
Sikur është bërë tash e ditur, Papa Françesku, këtë vit iu ka drejtuar një mesazh urimi “myslimaneve në botën barë”, me dëshirën që të rritet respekti i ndërsjellë. Në këtë porosi për festën e ‘Id al-Fitr’, Papa në mënyrë të veçantë nënvizon rëndësinë e edukimit të besimtarëve për të respektuar fenë, vlerat dhe simbolet fetare të njëri-tjetrit.
Është përgjegjësi e jonë, si prijës shpirtërore, që t’u prijmë besimtarëve tanë me shembuj konkret jete dhe t’i edukojmë ata që si tillë të kultivojnë harmoninë ndërfetare e, si shqiptarë, dashurinë ndërvllazërore.
Jam i bindur se mund të kemi një të ardhme të ndritur vetëm nëse arrijmë të edukojmë personin, familjen e tij dhe mbarë shoqërinë: në kulturën e paqes, në qytetërimin e dashurisë dhe në respektimin e ndërsjellë.
Në fund më lejoni, që Juve, bashkëpunëtorëve tuaj e të gjithë besimtarëve myslimanë në Kosovë e gjetiu, t’ua uroj përzemërsisht - ME FAT BAJRAMI!

+ Dodë GJERGJI
Ipeshkëv i Kosovës







All the contents on this site are copyrighted ©.