2013-08-09 16:24:05

Tweet i Papës: të gjithë jemi enë balte, por në ne ruhet një thesar i pafund


Një Tweet i ri i Papës u duk sot në faqen e internetit @pontifex: “Të gjithë, shkruan, jemi enë balte, të brishtë e të varfër, por në këto enë kemi një thesar të pafund”. E kjo temë na kujton fjalët e Shën Palit në Letrën drejtuar Korintianëve, kujtuar shpesh nga Papa, në muajt e parë të papnisë.
I vetëdijshëm se është enë balte, e megjithatë rojtar i një thesari të madh, që iu dhurua krejt falas. Ky është ndjekësi i Krishtit përpara syve të Zotit. Papa Françesku ndalohet kështu tek Letra, përmes së cilës Pali ua jep këtë shpjegim të krishterëve të Korintit. Që të gjithë ta kenë të qartë se pushteti i jashtëzakonshëm i fesë është vepër e Zotit, shpjegon Pali, ai u zbraz në njerëz mëkatarë, në enë balte. Por pikërisht nga lidhja ndërmjet nesh, mëkatarëve të varfër dhe hirit e pushtetit të Jezu Krishtit, ripohon Papa, gurron dialogu i shëlbimit. Krishti, ky është thesari, për të cilin krenohemi. Por, e kemi në enë balte. Të krenohemi, prandaj, edhe për rrëfimin e mëkateve tona, na kujton Ati i Shenjtë:
Pali foli shumë herë, si ta kishte refren, për mëkatet e veta.’Po ju them këtë: unë, që isha persekutues i Kishës, që e përndoqa..’. Pali rikthehet e rikujton pambarimisht mëkatin, ndjehet mëkatar. Por edhe në atë çast nuk thotë: ‘Kam qenë, por tani jam shenjt’, jo, nuk e thotë. Përkundrazi, thotë: kam një ferrë të shejtanit në korpin tim. Na tregon ligështinë e vet, mëkatin e vet. Është mëkatar, që pranon Jezu Krishtin, që dialogon me Jezu Krishtin”(Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 14 qershor 2013).
Përvujtëria e të krishterit është konkrete, vijon Papa Françesku. Prandaj, nëse i krishteri nuk arrin t’ia bëjë vetes e as Kishës këtë rrëfim, diçka nuk shkon. E nëse nuk shkon i pari ta bësh rrëfimin tënd, do të thotë se nuk mund ta kuptosh as bukurinë e shëlbimit, që na çon tek Jezusi.
Mund të ndodhë, na kujton Papa, që ata, të cilët e marrin këtë thesar, e dinë se janë gatuar prej balte, por gjatë jetës i rrëmben entuziazmi aq, sa ta harrojnë këtë të vërtetë, të harrojnë se në enën e tyre prej balte ruajnë dhuratën më të madhe. Kisha, pohon Ati i Shenjtë, vuan shumë, sa herë që ndonjë nga të thirrurit për ta ruajtur thesarin në enë balte, beson se është më i mirë, se nuk është i gatuar prej balte. Tundohet, prandaj, ta lyejë e ta zbukurojë enën. Harron se jemi të brishtë, nga zanafilla e deri në fund të fundit, e nga kjo nuk mund të shpëtojë askush. Na shpëton vetëm Jezusi, në mënyrën e vet, që nuk është mënyrë njerëzore, sepse Zoti nuk di të lahet e të lyhet, për t’i pëlqyer vetes. (Homelia në selinë e Sumaré, 25 korrik 2013). Zoti na ndihmon ta ruajmë drejtpeshimin ndërmjet thesarit e enës e na jep hirin e turpit për mëkatet tona, gjë që çon në përvujtërinë, për të cilën kanë nevojë të gjithë, e, veçanërisht, meshtarët:
“Kjo përvujtëri na kujton çdo ditë se nuk jemi ne ata, që e ndërtojnë Mbretërinë e Hyjit, por është gjithnjë Hiri Hyjnor, që vepron në ne; përvujtëri, që të nxit ta vësh gjithçka jo në shërbim të vetvetes e as të ideve vetjake, por në shërbim të Krishtit e të Kishës, si enë balte, të brishta, të papërshtatshme, të pamjaftueshme, por në të cilat ruhet thesari i pafund, të cilin e mbartim dhe e komunikojmë” (Homelia në Kishën e Jezusit, 31 korrik 2013).
Vetëm përvujtëria, pohon Papa, mund të na bëjë ta kuptojmë bukurinë e shëlbimit, që sjell Jezusi:
Vëllezër, ne kemi një thesar: këtë të Jezu Krishtit Shëlbues. Kryqi i Jezu Krishtit, ky është thesari, për të cilin krenohemi. Por, e kemi në një enë balte. Të krenohemi edhe për rrëfimin e mëkateve tona. E kështu dialogu është i krishterë e katolik: konkret, sepse Shëlbimi i Jezu Krishtit është konkret, Jezu Krishti nuk na shëlboi me një ide, me një program intelektual, jo! Na shpëtoi me korpin e vet, me konkretësinë e mishit e të gjakut të vet. U përul, i bërë njeri, mish e gjak, deri në fund të fundit. Por mund ta kuptojmë, mund ta marrim, vetëm në enë balte”(Homelia në Shtëpinë e Shën Martës, 14 qershor 2013).
E edhe Samaritania, që e takon Jezusin e, pasi i flet, u tregon bashkëfshatarëve më parë mëkatet e veta, e pastaj takimin me Zotin, sillet njëlloj si Pali. Unë besoj, vëren Papa Françesku, se kjo grua duhet të jetë në qiell, sepse, siç thotë Manzoni: “Nuk kam gjetur askund që Zoti të ketë nisur një mrekulli, e të mos e ketë përfunduar mirë”. E kjo mrekulli, që Krishti e nisi, sigurisht duhet të ketë përfunduar mirë në qiell. T’i lutemi Hyjit, na nxit Papa të na ndihmojë të jemi enë balte, për të mundur ta ruajmë e ta kuptojmë misterin e lumnueshëm të Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.