2013-08-09 16:25:35

Rubrika “Te gurra e besimit”: Shokët e udhës (Emisioni XVIII)


Do të flasim për njerëzit, që na shoqërojnë në udhën e jetës, në emisionin XVIII të rubrikës “Te gurra e besimit”. Për ndikimin e tyre mbi jetën tonë.
Në jetën e secilit nga ne ka njerëz shumë të dashur, që i ndjejmë posaçërisht pranë. Disa tashmë janë në krahët e Hyjit, të tjerët vijojnë udhën e jetës, së bashku me ne: janë prindërit tanë, të afërmit, edukatorët; njerëzit të cilëve u kemi bërë mirë e na kanë bërë mirë, që na mirëkuptuan e na mbështetën në çaste të vështira. Është shumë e rëndësishme të mos jesh vetëm përudhë. Të kesh shokë. Edhe në udhën e jetës së krishterë. E në udhën e kësaj jete, shokë janë drejtuesi shpirtëror, rrëfyesi, njerëzit me të cilët mund të shkëmbesh përvojën e fesë e, shokët më të mirë të udhës janë, pa dyshim Virgjëra Mari e shenjtorët. Secili duhet ta ketë një shenjt pajtor, ndërmjetës, të cilin e ndjen posaçërisht pranë, i lutet, përpiqet t’i përngjajë, na kujton Papa. E prej këndej, na fton t’i njohim më mirë shenjtorët, duke nisur nga Shenjti, emrin e të cilit mbajmë. T’ua lexojmë jetët, shkrimet, lutjet. Të jeni të sigurtë, na kujton Benedikti XVI, se do të bëhen udhëheqës shumë të mirë, do t’ju nxisin ta doni më fort Zotin e do t’ju ndihmojnë të ecni pa u lëkundur në udhën e jetës njerëzore e kristiane.
Edhe unë, na rrëfen Papa i nderit, lidhem në mënyrë të posaçme me disa figura shenjtorësh: ndërmjet tyre, veç Shën Jozefit e Shën Benediktit, emrin e të cilëve mbaj, po kujtoj Shën Agostinin, që e njoh nga afër, përmes studimit e lutjes. U bë, kështu, shok i mirë në jetën e në misionin tim. E Papa nënvizon përsëri një nga aspektet e rëndësishme të përvojës njerëzore e kristiane, aktuale edhe për kohën tonë, në të cilën, paradoksalisht, duhet sikur relativizmi është e ‘vërteta’, që duhet t’i prijë mendimit, rrugës, sjelljes sonë.Shën Agostini na mëson të ecim ndryshe, na hap para një rrugë të re. Ai nuk jetoi kurrë cektësisht. I etur gjithnjë, kërkoi shqetësueshëm të vërtetën. Jo atë, të cilën bota e sotme e quan “të vërtetë”. Atë, që nuk mund t’i japë kurrë paqe zemrës. Por të vërtetën, që i jep kuptim jetës, që bëhet banesa, ku zemra gjen paqe e gëzim.







All the contents on this site are copyrighted ©.