2013-08-09 16:29:13

Papa Kalorësve të Kolombos: mbrojeni trashëgiminë e së vërtetës së Ungjillit


“Në Vitin e Fesë, çdo Kalorës i Kolombos ta ndezë përsëri dritën e fesë, me lutje vetjake, katekizëm e vepra dashurie të krishterë”. Këtë ftesë të Papës Françesku e lexojmë në një Mesazh, nënshkruar nga kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, drejtuar organizatës së lashtë katolike amerikane, themeluar në shekullin e 19-të, që aktualisht numëron 1 milion e 800 mijë anëtarë. Mesazhi kujton takimin e 131-të të Kalorësve, që përfundoi dje, pas dy ditë punimesh, në Sant Antonio të Teksas (SHBA). Frymëzohet nga një pohim i Papës, në Meshën e kremtuar për fillimin e papnisë: “Sa shkretëtira duhet të përshkojë njeriu, edhe sot e kësaj dite, pati thënë Ati i Shenjtë. Posaçërisht, shkretëtirën që ka në shpirt, kur mungon dashuria për Zotin e për të afërmin e kujdesi i vetëdijshëm për dhuratat, që Krijuesi na i dha e vijon të na i japë. Po mëshira e Zotit mund ta bëjë të lulëzojë edhe tokën më shterpë, mund t’u japë jetë edhe eshtrave të thata”.
I vetëdijshëm për përgjegjësinë e veçantë, që kanë shkullarët në misionin e Kishës, Papa, lexohet në mesazh, e fton çdo kalorës e çdo Këshill, ta dëshmojë natyrën e vërtetë të martesës e të familjes, shenjtërinë dhe dinjitetin e paprekshëm të jetës, bukurinë dhe vërtetësinë e seksualitetit njerëzor”. Në këtë kohë ndryshimesh të stuhishme shoqërore e kulturore, vijon teksti, mbrojtja e dhuratave të Hyjit nuk mund të mos e përfshijë pohimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së madhe të të vërtetave morale, të mësuara nga Ungjilli e të vërtetuara nga arsyeja e shëndoshë, që shërbejnë si themel i shoqërisë dhe i rendit të drejtë.
Prandaj Papa shpreh edhe një herë vlerësimin e tij për dëshminë e qartë publike, që japin Kalorësit e Kolombos në mbrojtjen e të drejtave e të detyrave të besimtarëve për të marrë pjesë me përgjegjësi, mbi bazën e bindjeve të tyre më të thella, në jetën e shoqërisë.
Në Vitin e Fesë, përfundon Mesazhi, Papa Françesku u kërkon Kalorësve ta rindezin me lutje personale, katekizëm e vepra dashurie të krishterë, dritën e fesë – lumen fidei – që na i zgjeron horizontet, na i hap zemrat për dashurinë e Zotit e na i shpejton hapat tanë si individë, familje e kombe, në udhën e gjatë e të bukur të shpresës, në të cilën na prin gjithnjë Zoti, ne e mbarë historisë njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.