2013-08-09 18:19:13

Papa Françesku: të kapërcehen tundimet e Kishës, nga ideologjitë tek klerikalizmi


Një Kishë në mision të përhershëm: këtë u kërkoi Papa Françesku ipeshkvijve të CELAM-it, Këshillit ipeshkvnor latinoamerikan, gjatë udhëtimit të tij në Rio-de-Zhanejro për Ditën Botërore të Rinisë. Në atë rast, Ati i Shenjtë rreshtoi një sërë tundimesh, që mund ta çojnë drejt dështimit misionin e Kishës. Prirje, që i ka përmendur shpesh në fjalimet e tij, gjatë 5 muajve të papnisë dhe vlejnë për Kishën Katolike në pesë kontinentet. Na shpjegon më mirë, gazetari ynë, Serxho Çentofanti:
Duhen “qartësia dhe shkathtësia ungjillore” për t’u hequr maskën tundimeve, që fshihen në veprimtarinë misionare të Kishës e që rrezikojnë ta çojnë drejt dështimit kumtimin e Lajmit të Mirë të krishterë. Papa rreshton disa prej këtyre tundimeve: katër të parët kanë të bëjnë me ideologjizimin e mesazhit ungjillor.
Në këtë nivel – shpjegon Ati i Shenjtë – ekziston sidomos tundimi për ta reduktuar fenë në përmasën “shoqërore”: janë ata të krishterë, që e interpretojnë Ungjillin, sipas ideologjive të ndryshme, që shkojnë nga optika liberiste në atë marksiste. “Çdo interpretim ideologjik, nga cilado anë të vijë – pati thënë Papa Françesku në një nga meshët në Shtëpinë e Shën Martës – është fallsifikim i Ungjillit”. Ideologët flasin vetëm duke përdorur trurin, por nuk dinë të arrijnë tek dashuria, nuk dinë asgjë nga bukuria e Zotit, sepse trajtojnë vetëm idetë e jo njerëzit: e megjithatë – nënvizon Horhe Mario Bergolio – “misioni lind pikërisht nga kjo magjepsje nga Hyji, nga mrekullia e takimit me Të”, sepse udha e Zotit kalon përmes hijeshisë, që të tërheq.
Pastaj, vazhdon Papa, kemi ideologjizimin psikologjik, që e redukton takimin me Jezusin në një lloj vetëbindjeje. Feja braktis përmasën shpirtërore, në kërkim të mirëqënies thjesht psikike. Pra, në qendër të jetës nuk është Jezusi, por psikika e secilit, që nuk del nga vetveteja. Janë të krishterët pa Kryqin e Krishtit, thotë Papa Françesku.
Ky tundim lidhet ngushtë me prirjen gnostike. Zakonisht, kjo shihet në grupe elitare, të cilët e mbajnë veten se kanë një përshpirtëri më të lartë se të tjerët, por që nuk mishërohet në jetën e përditshme. “Janë të ashtuquajturit ‘të krishterë të shndritur”, trashëgimtarë të kulturës së iluminizmit. Këta, kritikon Ati i Shenjtë, janë satelitë të një Kishe të veçantë, bërë sipas dëshirës së tyre e modave të kohës.
Tundimi i katërt e i fundit ideologjik është “propozimi pelagjian”. Ka njerëz, vë në dukje Papa Françesku, që para të këqiave në Kishë, kërkojnë thjesht masa disiplinore e kthimin në sjellje e forma të kapërcyera, për ta “siguruar” doktrinën në kullën e vet të fildishtë, duke u rikthyer edhe një herë në të kaluarën e humbur tashmë, pa pranuar veprimin e mëtejshëm të Shpirtit Shenjt në historinë e Kishës e të njerëzimit. “Shpirti Shenjt – pati nënvizuar Papa në një meshë tjetër në Shtëpinë e Shën Martës – na bezdis, sepse na bën të lëvizim, të ecim, e shtyn Kishën përpara”. Koncili II i Vatikanit, për shembull, qe “një vepër e bukur e Shpirtit Shenjt”, por – thekson Papa – ka nga ata që nuk duan ndryshime e madje, duan të kthehen mbrapa. “Kjo do të thotë ta kesh kokën e fortë”.
Pas tundimeve ideologjike, Papa flet për prirjet, që lidhen me të ashtuquajturin “funksionalizëm”, i cili e paralizon Kishën. “Konceptimi funksionalist – denoncon Ati i Shenjtë – nuk e toleron misterin, por kërkon vetëm efikasitetin, rezultatin… E kthen Kishën në një organizatë jo qeveritare”. Për këtë rrymë, vlejnë vetëm statistikat e rezultatet, numrat, sikur njerëzit e Kishës të ishin afaristë. Është një lloj “teologjie e përparimit”, që e kufizon baritorinë e Kishës vetëm në aspektet e saj organizative. “Por Zoti – u tha Papa Françesku ipeshkvijve brazilianë në Rio – dëshiron të duket pikërisht përmes mjeteve tona, mjete të varfëra, sepse është gjithnjë Ai, që vepron e jo ne”.
E, së fundi, kemi tundimin e klerikalizmit, që shpesh – thotë Ati i Shenjtë – është një lloj leverdie si për meshtarin, ashtu edhe për laikun, që shërben në Kishë. Por, është një fenomen, që pengon fuqishëm marrjen e përgjegjësisë nga ana e laikëve dhe e lë Kishën në amulli. Papa flet për një Kishë “babysitter” (kujdestare fëmijësh), që të vë në gjumë në vend që të të zgjojë. Por Kisha, nënvizon Ati i Shenjtë, është nënë e lind bij, të cilët janë protagonistë, besimtarë, me guxim e pasion për ta kumtuar Ungjillin në të gjithë botën e jo për të shkuar thjesht pas veladonit të priftit.







All the contents on this site are copyrighted ©.