2013-08-09 16:24:32

Në një libër, e vërteta historike për epopenë e ‘kristeros’ në Meksikë


Për dhjetra vjet me radhë e injoruar nga historiografia, sot del në dritë para syve të gjithë botës, si epope madhështore e tragjike: flasim për persekutimin e të krishterëve dhe rebelimin pasues të popullit, në Meksikë, ndërmjet viteve 1925-1929. Në librin e titulluar “Kristiada”, botuar nga Lindau, zbulohet e vërteta historike, mbi bazën e bibliografisë më të zgjedhur ndërkombëtare. Një e vërtetë e mohuar, ndërmjet sa e sa të tjerave, fiton pafajsinë para gjyqit të historisë botërore. Intervistuan autorin, Mario Arturo Janakone:RealAudioMP3

Përgjigje: - Ishte dëbimi masiv i meshtarëve, mbyllja e kishave, shpërndarja e të gjitha urdhërave rregulltare. Prej këndej, populli, duke mos duruar gjithë këtë shëmtim, ngriti krye. Shpërtheu një kryngritje e vetvetishme. Nuk u nxit nga kleri, siç thuhet shpesh padrejtësisht. Ishte populli, që nuk mundi të duronte më, e nisi luftën, të cilën e vijoi katër-pesë vjet: vite të përgjakshme.

Pyetje: - Ngjarja, që vlen të kujtohet në mënyrë të posaçme?

Përgjigje: - Ka shumë, e të gjitha, episode martirizimi: u shenjtëruan 27 vetë, 13 të tjerë janë tashmë të Lum… E duhet kujtuar se gjatë periudhës së ‘Kristiadës’ u përdorën për herë të parë edhe kampet e përqendrimit në disa nga qytetet në qendër të Meksikës. Ishin kampet e vdekjes, ku mbyllën sytë në kushte çnjerëzore, shumë njerëz - numri i saktë nuk dihet – vetëm e vetëm se ndihmonin ata, që u quajtën “luftëtarë të Krishtit Mbret”, domethënë ‘kristeros’.

Pyetje: - Dihet se njerëzit, që u rebeluan në këtë valë antikatolike, ishin përfaqësues të klasave e shtresave të ndryshme…

Përgjigje: - Po: fillimisht ishin njerëz jashtëzakonisht të përvuajtur, katundarë, por edhe artizanë, nëpunës, sidomos nëpunës, nga qytetet e mëdha, e kishte edhe fazenderos, pronarë tokash… Pra ishin nga të gjitha shtresat…

Pyetje: - Në vitin 1925 hyri në fuqi Kushtetuta antikatolike. Pse? Cilat ishin akuzat?

Përgjigje: - Kryesisht e paradoksalisht, preteksti ishte aktivizmi shoqëror i Kishës meksikane. Kisha ishte shumë aktive. Kishte krijuar sindikatat, institutet bamirëse, bankat, kooperativat e po korrte, kështu, një sukses, që shteti revolucionar meksikan nuk mundej as t’i afrohej, as në çështjet, që kishin të bënin me rindarjen e tokës, me ndihmën ndaj klasave më të varfëra etj etj. Për këtë arsye, një shtresë njerëzish antiklerikalë të tërbuar, njerëz pa Zot, e shikonte Kishën katolike si armik, që duhej shpartalluar pa mëshirë, sepse i konkuronte në të gjitha fushat e organizimit të shoqërisë. Sulmi përgatitej prej dekadash. Shpërtheu në një pikë, që lidhej me një personalitet të veçantë, Plutarko Elia Kalles, president i vendit në vitet 1924-1928, antiklerikal i tërbuar, i cili deshi të shkojë deri në fund të fundit, deri në pikën e martirizimit, sepse e quante Kishën shkaktare të të gjitha fatkeqësive të Meksikës. Prej këndej, miratoi një ligj të ri, që u njoh si “Ligji Calles”, i cili i dha dorë të interpretonte e të zbatonte sipas interesave të veta, nenin 130 të Kushtetutës. Pasuritë e Kishës u konfiskuan e prania e saj në jetën publike u kufizuan aq, sa çoi në rebelimin e popullit. Nisi kryengritja e kristeros, në përfundim të së cilës numri i meshtarëve katolikë, nga 4.500 që ishte para vitit 1926, në vitin 1934 u reduktua në 334. Më 1935, 17 shtete meksikane nuk kishin asnjë prift të vetëm në territoret e tyre.

Pyetje: - Epopeja e kristeros në Meksikë u zhvillua në pak vite. Ç’u bë, pastaj, me këtë episod dramatik, të fortë, pasojat e të cilit u ndjenë për shumë e shumë kohë, edhe mbasi u shtyp me gjak rebelimi…

Përgjigje: - Në të vërtetë, pas arreglos, një lloj paqeje, persekutimi, edhe gjakatar, kundër katolikëve, vijoi për nja dhjetë vjet të tjera. Ipeshkvijtë, që e nënshkruan këtë arreglos, këtë marrëveshje, u tradhtuan nga shkërbejtë e revolucionit. E kjo është aq e vërtetë, sa pati përpjekje për ta rifilluar “Kristiadën’ në gjysmën e viteve ’30. Pastaj, pas viteve ’40, u gjet një rrugëzgjidhje. Puna është se në këndvështrimin historiografik, studiuesit meksikanë nuk shkuan kurrë deri në fund të asaj, që kishte ndodhur e ua hodhën fajin e kryengritjes së Kristiadës, pronarëve të pasur të tokave, ‘kulakëve’, të cilët nuk hynin fare në këtë çështje e ishin përkrahës të qeverisë. Ndërsa Kisha u përpoq ta shmangte ndeshjen e armatosur. Prej këndej, nisi falsifikimi i historisë. E nuk është i vetmi. Falsifikimi vijon edhe në situata të tjera historike. U kapërcye falë punës së një historiani francez, Zhan Majer, që shkoi në Meksikë, u kthye në fenë e krishterë e i hyri me themel studimit të së vërtetës historike, derisa provoi me dokumente e dëshmi fenomenin: ‘Kristiada’ ishte kryengritje e popullit, që u shfrytëzua në të gjitha mënyrat, për t’i dhënë fund pranisë së Kishës Katolike në vend.








All the contents on this site are copyrighted ©.