2013-08-09 12:18:17

Motu Proprio e Papës Françesku për përforcimin e vigjilencës në fushën e riciklimit të parave. Intervistë e atë Lombardit


Të enjten, me një Motu Proprio, Papa Françesku mori edhe një masë tjetër për parandalimin dhe luftën kundër riciklimit të parave e financimit të terrorizmit. Me anë të këtij dokumenti, me iniciativën e Atit të Shenjtë, ngrihet në Vatikan një Komitet për Sigurinë Financiare dhe parashikohet vigjëlimi, apo kontrolli paraprak mbi entet, që kryejnë veprimtari financiare. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ndalet, në mikrofonin tonë, pikërisht në përmbajtjen e këtij teksti të rëndësishëm. Ta dëgjojmë:
Kemi të bëjmë me hapa përpara dhe me zgjerimin e punës për hyrjen e Shtetit të Vatikanit e të Selisë së Shenjtë në sistemin ndërkombëtar të kontrollit e të sigurisë, përsa u përket të gjitha veprimtarive me karakter ekonomiko-financiar, në të cilat, në botën e sotme, mund të ketë rrezik manipulimi nga ana e kriminalitetit të organizuar. Pra, flitet për luftën kundër riciklimit të parave, fryt i veprimtarive kriminale, dhe për luftën kundër financimit të terrorizmit ose të veprimeve të tjera të paligjshme. Motu proprio është një lloj kornize, ku hyjnë të gjitha normativat apo ligjet e veçanta, që hartohen e publikohen për Shtetin e Vatikanit. Këto ligje theksohet se vlejnë për të gjitha organizmat e Selisë së Shenjtë, si edhe për organizata apo institucione pa qëllim fitimi, që janë persona juridikë me seli në Shtetin e Vatikanit. Selia e Shenjtë garanton kështu respektimin e ligjit dhe të sigurisë në fushën ekonomike e financiare.
Me Motu Proprion, Papa Françesku shpreh dëshirën për një koordinim më të madh. Themelohet edhe një Komitet për Sigurinë Financiare…
Po. Komiteti ka funksion koordinimi. Në vetvete, themelimi i një komiteti koordinimi është i natyrshëm e funskional, nuk merr përsipër kontrolle apo veprimtari, që u takojnë institucioneve kompetente. Por tani, entet vatikanase që merren me punë ekonomike e financiare kanë tani një vend – një komitet pra – përmes të cilit mund të koordinojnë veprimtaritë. Risia kryesore e Motu proprios është forcimi dhe zgjerimi i kompetencave të Autoritetit për Informacionin Financiar, të cilit i jepet detyra për “të vigjëluar paraprakisht” mbi institucionet financiare. Ky lloj kontrolli u kërkua pas shqyrtimit të sistemit vatikanas nga “Moneyval”.
Jemi në gusht, njerëzit kanë shkuar me pushime, por jo Papa. Me këtë Motu Proprio tregon se u jep rëndësi të madhe zgjidhjes së këtyre problemeve. Nuk pushon pra…
Jo, sigurisht. Ky është njëri nga aspektet e veprimtarisë së tij të madhe… Gjithsesi, më duket se zgjidhja e çështjeve ka të bëjë me afatet, me impenjimet e marra në nivel ndërkombëtar për përshtatjen e sistemit, prandaj duhen respektuar disa data, që kërkojnë të bëhen hapa vendimtare, pa vonesë, në mënyrë që të mos ketë probleme kur të bëhen verifikimet nga ana e organizmave kompetente… Edhe “Moneyval” (organizmi i kontrollit i Këshillit të Evropës) pati vënë në dukje, në vlerësimin e tij të parë, se Selia e Shenjtë lëviz në kohë. E kështu po vazhdohet për ta përshtatur plotësisht sistemin ekonomiko-financiar të Vatikanit me standartet ndërkombëtare, për të qenë në lartësinë e kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, duke u impenjuar në mbrojtjen e ligjshmërisë e të paqes edhe në fushën e veçantë të veprimtarive ekonomiko-financiare.







All the contents on this site are copyrighted ©.