2013-08-09 18:06:37

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 19-të ‘C’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi na fton të jemi vigjilentë, të jemi të vëmendshëm, jo vetëm për të mësuar si ta presim kur Ai do të vijë e do të trokas në portën e jetës sonë, por për ta njohur çdo herë që, në shëmbëlltyrën apo në imazhin e vëllait tonë, do të na kërkojë ta duam e ta ndihmojmë. “Mos druani, mos keni frikë, grigjë e vogël...” Me këto fjalë Jezu Krishti Zot na ngushëllon! Themeli i këtij besimi, baza e kësaj mbështetjeje është Mbretëria, që Atit Qiellor i pëlqen t’ua dhuroi të varfërve të tij. Shpresa bëhet pritje që dhurata të realizohet e të plotësohet në jetën tonë. Kështu Ungjilli i së dielës na nxit ta kemi e ta ndajmë të njëjtën fe të Abrahamit, që “priste qytetin me themele të palëkundshme” (Leximi II). Edhe Libri i Urtisë duke kujtuar Daljen, na bënë ta përqendrojmë e ta fiksojmë vështrimin mbi popullin që, gjatë natës, priste shpëtimin e të drejtëve ( Leximi I).
Vigjilenca është sjellje e qëndrim i fesë së të krishterit (Ungjilli), që pret kthimin e Zotit të vet dhe në këtë pritjeje e gjen lumturinë e vet. Si ta jetojmë këtë vigjilencë? Lypet “të presim” me besnikëri ndaj angazhimit apo detyrës që na është besuar, siç bënë shërbëtori që di t’u japë shokëve të vet pjesën e ushqimit në kohë të duhur. Ne nuk e dimë orën kur Zoti do të kthehet. Por duhet ta njohim mirë orën (kohën e duhur) e përgjegjësisë që kemi për ta jetuar ndaj të tjerëve e me të tjerët. Edhe për arsye se, nëse shërbejmë në këtë mënyrë, do të jemi të ngjashëm me pronarin që vjen si një shërbëtor.Në leximet biblike të kësaj së diele, e kemi rimatin e fesë, si llambë që ndriçon jetën e besimtarit, është përgjigja ndaj besnikërisë së Zotit. Hyji, për atë njeri që beson, është gjithmonë “Ai që vjen, në një farë mënyre, Zoti e ka vendin e parë në jetën e tij, e atëherë gjithçka tjetër bëhet jo cak, por thjesht mjet apo vegël. Kjo pritje nganjëherë na lodhë, madje na rraskapit forcat, e provojmë në lëkurë tonën rrezikun e lodhjes e edhe joshjen ndaj asaj që është më e gatshme, më e afërt, që i përgjigjet nevojave tona në mënyrë të menjëhershme. Fjala e Zotit e kësaj së diele të 19-të gjatë vitit kishtar na drejton një thirrje të qartë pikërisht për ato momente kur ndjehemi të lodhur, madje të sfilitur: Mos druani, mos keni frikë, grigjë e vogël! Feja në Zotit ushtrohet në besimin e plotë plot durim.
Ungjilli i kësaj së diele nga Luka 12,32-48 na vënë përsëri përballë të mirave të kësaj bote materiale e para zgjedhjes dhe përcaktimit tonë: shëmbëlltyrat ungjillore na tregojnë e ftojnë të jemi të gatshëm, të përgatitur,” të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura, porsi ata që presin Zotërinë e vet kur kthehet”; “jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë né atë çast kur s’jua merr mendja”. Këto fjalë janë thirrje të kemi besim në Zotin.
Nga Ungjilli i së dieles mësojmë se Jezusi çdo autoritet në bashkësi e ka lidhur me shërbimin; Ai jo vetëm që shërbimin e ka bërë një emër të ri, emër sekret të qytetërimit, por e ka bërë tipar, shenjë dalluese të marrëdhënies reciproke mes njeriut e Hyjit. Ne shërbëtorë të Hyjit, e Hyji që nga ana e tij bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet: të cilët "do ti ulë në tryezë e do t'u shërbejë".
Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, jehon tri herë thirrja "jini gati". Po çka pret shërbëtori besnik? Nga e ardhmja nuk vjen diçka, po Dikush. Në mbarim të natës, agon shkëlqimi i një takimi. E jo me Zotin vjedhës të jetës, por me Zotin që bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet, që përkulet para njeriut dhe e nderon, që e gëzon dhe e ushqen jetën, dashurues i jetës.
Në mbarim të natës….Besnikëria e atij shërbëtori nuk konsiderohet thjeshtë një vepër e detyrueshme, një detyrë e kryer, po për Zotin është gëzim e një befasi. Ndoshta ai shërbëtor i jep Zotit më shumë se sa vet Zoti priste, është në gjendje ta befasojë e ta mrekullojë duke ndenjur zgjuar deri në mbarimin e natës, i aftë ta bëjë të gëzojë. E për këtë lind një përgjigje e mëtejshme e çliruese, përtej detyrimit e peretj së drejtës, në fushën e dhuratës së pastër.
“Lum ai shërbëtor që Hyji do ta gjejë zgjuar e vigjilentë”. Pse i lum? Fatbardhësia e shërbëtorit nuk është në faktin se ka ditur ta kalojë natën duke ndenjur zgjuar, por lind shumë më parë nga fakti se pronari, se zotëria ka besim në të e atij ia beson shtëpinë. Zoti ka besim në njeriun.
Besimi i Zotit tim më pushton, në Të e vë zemrën time, atij i përgjigjëm. Është ky psalmi im i parë: lum njeriu sepse Zoti ka besim në të. E feja, besimi i shërbëtorit i përgjigjet fesë dhe besimit të Zotit, e shërbëtori administron apo mbarështon me gëzim më shumë një thesar miqësie reciproke se atë të shtëpive e të mirave. Atëherë, “aty ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj”. Thesari i vërtetë janë gjithmonë personat e kurrë sendet.
Ngjarja më vendimtare për ne është takimi me Zotin, e kjo ngjarje kërkon një sjellje e qëndrim më të përvujtë: durimin gjatë pritjes. Kështu qenë ftuar të ishin edhe bijtë e Izraelit, për të cilët flet leximi i parë nga Urtia 18,3.6-9, në përkujtim të lirimit nga Egjipti: janë ftuar ta mbajnë fenë të gjallë në premtimet e Hyjit mbi çka themelohet apo bazohet siguria e tyre.
Feja, pohon leximi i dytë e kësaj së diele nga Letra e Hebrenjve 11.1-2;8-9, është themel i sendeve që shpresohen. Feja shprehet përmes besimit, mbështetjes e shfaqet në aftësinë e besimtarit që e bazon jetën personale mbi fe, duke braktisur çdo formë tjerë të sigurisë.
Liturgjia e FjalësLeximi i parë Urt 18, 3.6-9

Tregimtari jeton i lirë në Egjipt aty ku etërit e tij janë persekutuar. Ai kremton natën e pashkëve ulur në tavolinë në shtëpinë e tij. Nuk kërkon që egjiptianët të jenë të shkatërruar, por falënderon Hyjin që është anëtar i popullit të besëlidhjes dhe që kremton gëzimin e çlirimit të popullit.
Edhe sot të krishterët banojnë në vendin në të cilin jetojnë për të dëshmuar që Hyji i ka thirrur dhe i ka bashkuar duke u ofruar bukë dhe liri.

Lexim prej Librit të Urtisë

Në natën e lirimit, Izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm. Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër. Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët, sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove duke na thirrur pranë teje.
Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehtazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do t’i pranojnë barazi si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit. Fjala e Zotit.

Psalmi 33
Lum populli që i përket Zotit
____________
Galdoni, o të drejtë me Zotin,
të drejtëve u ka hija lavdërimi!
Lavdërojeni Zotin me kitarë,
bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!
____________
Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.
____________
Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.
____________
Leximi i dytë Heb 11, 1-2.8-19

Abrahami i frymëzuar prej Hyjit niset pa e ditur se ku do të arrijë. Të gjithë pasardhësit e tij do të njihen prej tij: ata besojnë me të vërtetë që Hyji nuk i bën të ecin kot.
Ata e dinë pse nisen dhe nuk marrin parasysh rreziqet, sepse në fund të udhëtimit do të gjejnë një shtëpi, një vend paqeje dhe dashurie ku të shkarkojnë peshën e jetës së tyre.

Lexim prej drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, feja është një mënyrë pasjeje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen. Në fuqi të saj, madje, të parët tanë fituan një dëshmi të mirë.
Me anë të fesë, Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë dhe të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte. Me anë të fesë erdhi të banojë në tokën e premtuar si në tokën e huaj dhe jetoi nën tenda me Izakun dhe me Jakobin, bashkëtrashëgimtarët e të njëjtit premtim, sepse priste Qytetin me themele të palëkundshme, arkitekti dhe ndërtuesi i të cilit është Hyji.
Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse i kishte kaluar mosha, sepse e mbante besnik Atë që i dha premtimin. Këndej, prej një njeriu, dhe ai gati i vdekur, lindi një shumicë e madhe porsi yjet në qiell dhe rëra e panumërueshme në bregun e detit.
Të gjithë këta vdiqën në fe pa marrë çka u qe premtuar. Ata vetëm e vërejtën prej së largu dhe e përshëndetën duke pranuar se janë të huaj dhe udhëtarë përmbi tokë. Vërtet, ata që flasin kështu dëftojnë qartazi se kërkojnë atdheun. Patjetër, po të kishin menduar për atdheun prej të cilit dolën, do të kishin pasur kohë të ktheheshin. Por tashti, ata dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë atmen qiellore. Për këtë arsye Hyjit nuk i vjen turp të quhet Hyji i tyre: vërtet, Ai ua ka bërë gati Qytetin.
Me anë të fesë, Abraha-mi, i vënë në provë, e flijoi Izakun. Flijonte djalin e vetëm ai që kishte marrë premtimin, të cilit i qe thënë: “Pasardhësit e tu do të rrjedhin prej Izakut”, plotësisht i bindur se Hyji mund të ngjallë edhe të vdekurit. Prandaj edhe e rifitoi, dhe qe një shëmbëlltyrë. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën
kur do të vijë Zoti.
Aleluja.

Ì Ungjilli Lk 12, 32-48

Jezusi u drejtonte ndoshta këto shëmbëlltyra skribëve të asaj kohe, të cilët kishin zënë rrënjë në siguritë e tyre ekonomike, dhe i fton të mos flenë në momentet e krizës fetare, që shpallin fundin e botës.
Jezusi, për të na mësuar që t’i qëndrojmë me të vërtetë besnikë Zotit që vjen, shpall dështimin e një lloj teologjie, e paaftë për të lexuar shenjat e kohërave dhe për të realizuar ndryshime rrënjësore në traditën fetare.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren.
Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj. Jini gati – të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura – porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe po i gjeti kështu, lum ata!
E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në të cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.” Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?
Zotëria i përgjigji: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.
Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’, dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja, dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet shumë. Fjala e Zotit.

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni edhe këtu........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.