2013-08-09 16:25:26

Kisha kujton shën Terezën Benedikta e Kryqit, apo Edit Shtajnin,Bashkëpajtore e Evropës


Poç'mund të flasim në ditën kur Kisha kujton shën Terezën Benedikta e Kryqit, apo Edit Shtajnin, nëse jo për këtë shenjtore të madhe, Pajtore e Evropës? Mund të na ndihmojë për të kuptuar fjalën “kthim i zemrës” e “ateist”, që, siç tregon jeta e saj, jo gjithmonë çon në mohimin e plotë të Zotit.RealAudioMP3

Edit Shtajn, e fundit ndër 11 fëmijë, lindi më 12 tetor 1891, në Bratislavë të Polonisë, në një familje hebrenjsh. Dy vjeç, i vdiq i ati dhe, së ëmës, grua me fe të admirueshme, iu desh të merrej me familjen, pa arritur t’ua transmetonte fëmijëve besimin e gjallë, që ajo vetë e jetonte.
Editi e humbi besimin në Zotin e në moshën 15-vjeçare vendosi të mos lutej më. Siç e shikonte ajo, feja hebraike ishte vetëm një sërë rregullash e sjelljesh të jashtme, që s’kishin të bënin aspak me shpirtin. U bë feministe radikale e luftoi sidomos për të drejtën e votimit të grave. Pasioni i saj ishte filozofia. Frekuentoi leksionet universitare të filozofit të famshëm Edmund Husserl e u takua edhe me Maks Shelerin, i cili i tërhoqi vëmendjen drejt katolicizmit.
Në atë çast, shpërtheu lufta dhe Edit Shtajn filloi të shërbente në një spital ushtarak austriak si infermiere. Jeta e saj u bë shumë e vështirë e nuk i munguan çastet e trishtuara. Megjithatë ishte gjithnjë në kërkim të së vërtetës, ndjente se në jetë ka diçka më të thellë se ngjarjet e përditshme. Dëshironte të gjykonte gjithçka lirisht, e lirë edhe nga parimet racionaliste me të cilat ishte rritur, por nuk arrinte ta shembte murin, i cili nuk i lejonte të kuptonte stimujt e vazhdueshëm, që i arrinin nga ambienti filozofik, i ndjekur prej saj.
Kjo luftë e brendshme i shkaktonte vuajtje. Kuptoi diçka më tepër kur nga xhepi i një ushtari të vdekur pa të dilte një letër me një lutje, që e shoqja ia kishte dhënë si mbrojtje e jo më pak, mbeti e mahnitur nga forca me të cilën shoqja e saj, Anë Rajnah, pranoi shpirtërisht vdekjen e të shoqit në front. Ndjeu se forca, që e mbante mikeshën e saj, ishte feja në Jezu Krishtin dhe iu bë e qartë se e vërteta që kërkonte, gjendej në fenë e krishterë.
Këtu filloi ndryshimi i saj, por ajo që ia përmbysi krejtësisht jetën, qe leximi i librit mbi jetën e Shën Terezës së Avilës, dëshmi e gjallë e së vërtetës së Krishtit. Vendosi të pagëzohej e të bëhej katolike, pavarësisht nga kundërshtimet e familjes. Edit Shtajn kishte menduar se të jesh i krishterë do të thotë vetëm të sakrifikohesh, të heqësh dorë e mos jesh pjesë e kësaj bote. E kishte kuptuar këtë si veçim nga realiteti, por tani e ndjente se Zoti nuk na do jashtë botës, por na këshillon të mos e bazojmë jetën vetëm në gjërat e saj, e mori vesh se çdo gjë e kësaj bote është asgjë e se çdo kotësi, që paraqitet si magjia e shekullit, kalon shpejt.
Edit Shtajn gjeti lumturinë e vërtetë e lumnia e shpirtit të saj ishte kaq e madhe, sa kuptoi se jo vetëm Zoti dëshironte që ajo të jetonte në botë, por edhe se duhej t’i kumtonte kësaj bote burimin e gëzimit, që ia kishte mbushur krejt trupin. Hyri në Karmelin e Këlnit dhe u bë motër Tereza Benedikta e Kryqit, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit, së bashku me të motrën. U shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II më 1 maj 1987, shenjte, më 11 tetor 1998 e më 1999, Bashkëpajtore e Evropës, së bashku me shën Brigjidën e Suedisë e shën Katerinën e Sienës.
Në një shkrim, veçanërisht mallëngjyes, në Natën Shenjte të 24 dhjetorit 1936, duke pritur Krishtlindjen, shën Tereza Benedikta e Kryqit, në lutjen drejtuar Zotit, përshkruan rrugën e ndryshimit të shpirtit të saj, nga hebre në ateiste e më pas në katolike, luftën që e shoqëroi këtë shndërrim, por edhe lumninë, pasi gjeti Hyjin:
“O Zoti im, më vure para një rruge të gjatë e të errët, plot gurë e ferra. Shpesh, s’kisha më forca, nuk shpresoja që drita të shkëlqente sërish. E megjithatë, kur zemra ime u bë gur, në dhimbjen më të thellë, ja ku lindi për mua një yll i ndritshëm, i ëmbël. Më tregoi rrugën me besnikëri – unë e ndoqa, fillimisht me hezitim, pastaj, gjithnjë e më e sigurtë. Kështu, së fundi, mbërrita tek porta e kishës. Ajo u hap – unë desha të hyj. Në gojën e meshtarit, bekimi Yt më përshëndeti. Brenda meje, radhiten një yll pas tjetrit. Yje të kuq gjaku më tregojnë rrugën për tek Ti. Ata presin Natën tënde të Shenjtë e, vërtet, mirësia jote bën që ta ndriçojnë udhën time drejt Teje.
Më thonë “ec përpara”. Sekretin, që m’u desh ta fsheh në thellësitë e zemrës, tani, mund ta them me zë të lartë: “Unë besoj – unë dëshmoj!” Meshtari te shkallët më çon drejt elterit: ul kryet – Uji i Bekuar më rrjedh mbi ballë. A është e mundur, o Zot, që të rilindë, kush e ka kaluar tashmë gjysmën e jetës? Ti the “po” e unë e dëshmoj këtë të vërtetë. Jeta e gjatë, e rënduar nga fajet e nga vuajtjet, më la të lirë.
Me dlirësi, marr mantelin e bardhë, që ma vendosin mbi supe, imazh i ndritur i pastërtisë! Mbaj në duar qiriun. Flakëza e tij i shpall gjithë botës se brenda meje digjet jeta Jote e shenjtë! Zemra ime kthehet në një grazhd, që pret lindjen e Birit tënd. Nuk do të presë gjatë! Maria, nëna jote dhe imja, ma ka treguar emrin e Tij. Në mesnatë, do të më vendosë në zemër, Birin e saj të sapolindur. Oh, asnjë zemër njeriu nuk mund ta kuptojë ç’përgatit Ti për ata, që të duan. Tani je imi e nuk të lë kurrë më! Kudo të shkojë rruga e jetës sime, Ti je pranë meje: asgjë s’mund të më ndajë nga dashuria jote”.







All the contents on this site are copyrighted ©.